TIRANE - Takimet me dy diplomatët e lartë si zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker dhe me ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Verstervele, mesa duket nuk e kanë lodhur kryeministrin Sali Berisha në deklaratat e tij. Në të dy njoftimet që Kryeministria zbardhi bisedat diskrete të Berishës me diplomatët vihen re se disa fjalë të ripërsëritura në të dy takimet e zhvilluara në Tiranë.

Shefi i mazhorancës me të njëjtat fjalë i ka folur personaliteteve politike, për një Shqipëri me kuadër ligjor zgjedhor sipas rekomandimeve të ODIHR-it, sukses ky i reformës zgjedhore.

Ndërsa po me të njëjtat shprehje, në reshtat e bisedave të zbardhura, duke ripërsëritur veten, Berisha i premtoi diplomatëve një proces zgjedhor të shpejtë e transparent.

Nuk dihet nëse “përtacia” në të shprehur është e vetë Kryeministrit apo e zyrës së shtypit që zbardhi bisedat, por edhe një tjetër element i ripërsëritur është ai i “realizimit të zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare”.

DEKLARATA E KRYEMINISTRISE PER TAKIMIN ME REEKER
Kryeministri Berisha priti sot në një takim zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA z. Phillip Reeker dhe shtroi një drekë për nder të tij e cila u zhvillua në një atmosferë shumë të hapur e miqësore.

Kryeministri berisha e falenderoi z. Reeker për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të SHBA dhe Qeverisë Amerikane dhe atë të Presidentit Obama ndaj Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në takim u vlerësua gjithashtu edhe një herë vizita historike e ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton në Shqipëri dhe njëkohësisht fakti që në krye të departamentit të shtetit pas largimit të saj qëndron sërish një mik e mbështetës madh i Shqipërisë e shqiptarëve sic është Sekretari i Shtetit John Kerry, të cilit KM Berisha shfrytëzoi rastin ti ridërgojë përshëndetjet e urimet më të përzemërta.

Më tej biseda u ndal në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend. KM Bersiha theksoi se realizimi me sukses i reformës zgjedhore ka bërë të mundur që sot Shqipëria të ketë një kuadër ligjor, zgjedhor, në të cilin janë reflektuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it. Ne kete kuader, ai nenvizoi masat e marra nga administrata zgjedhore per rritjen e ndjeshme te shpejtesise dhe transparences ne votim dhe numerim. Kryeministri Berisha I ripohoi z. Reeker dëshirën dhe kërkesën e qeverisë shqiptare qe SHBA të dërgojnë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve të zgjedhjeve duke e siguruar atë se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të zbatuar cdo masë në kuadër të shtetit ligjor që zgjedhjet e 23 qershorit të plotësojnë të gjitha standartet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Në takim u vlerësua bashëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve në shumë fusha duke u ndalur në vecanti në bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe atë në sektorin e mborjtjes si dhe u rikonfirmua vendosmëria e për ta thelluar e zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin e frutshëm e të suksesshëm midis të dy vendeve në të gjitha fushat me interest ë ndërsjellë. z. Reeker i ripohoi Kryeministrit Berisha se SHBA do të vijojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë e rajonin, përfshi edhe përpjekjet për integrim në BE. Në këtë kontekst, z. Reeker përshëndeti edhe marrëveshjene fundit trepalëshe midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë si një shenjë tjetër e klimës së bashkëpunimit përinteresat e përbashkët të këtyre vendeve.

Më tej në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon ku Kryemnistri Berisha shfrytëzoi rastin të shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj SHBA, qevrisë amerikane, presidentin Obama dhe sekretarint të shtetit Kerry për mbështetjen e palëkundur për paqesn e stabilitetin e rajonit, perspektivën euroatlantike të tij dhe në vecanti për mbështetjen e pacmuar ndaj Republikës së Kosovës.

DEKLARATA E KRYEMINISTRISE ME DIPLOMATIN GJERMAN
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim, ministrin e jashtëm të Gjermanisë, zotin Guido Westerwelle dhe delegacionin që e shoqëronte. Ndërkohë, për nder të vizitës së tij, kryeministri Berisha shtroi mbrëmjen e djeshme, një darkë, e cila u zhvillua në një atmosfere shumë të ngrohte, miqësore e bashkëbisedimi të gjerë e të frytshëm për të gjitha çështjet e bashkëpunimit dypalësh, shumëpalësh dhe atij në kuadër të integrimit evropian.

Kryeministri Berisha e vlerësoi vizitën e Ministrit të Jashtëm gjerman Westerwelle si një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve e qeverive dhe në thellimin e zgjerimit e bashkëpunimit të deritanishëm të suksesshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë të të dy popujve e kombeve miq.

Kryeministri Berisha i shprehu ministrit Westerwelle mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme, për ndihmën shumë të çmuar dhe për partneritetin e miqësinë që Republika Federale e Gjermanisë, qeveria e saj, taksapaguesit e kombit mik gjerman, i kanë dhënë dhe vijojnë ti japin Shqipërisë për më shumë se dy dekada në të gjitha përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë, për anëtarësimin në NATO dhe në ecjen përpara me shpejtësi në projektin madhor të anëtarësimit në BE.

Nga ana e tij, Ministri gjerman Westerwelle e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore që Kryeministri i rezervoi atij dhe delegacionit që shoqëronte, gjatë këtyre dy ditëve dhe për kohën e gjatë që të dy kaluan së bashku gjatë kësaj vizite, e cila përveçse shumë e rëndësishme u konsiderua nga zoti Westerwelle edhe si një rast shumë i mirë për tu njohur më mirë me Shqipërinë dhe me mikpritjen shqiptare, por edhe me çështje të rëndësishme për vendin e rajonin.

Ministri i jashtëm gjerman Westerwelle i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta nga mikja e Kryeministrit Berisha dhe e shqiptarëve, Kancelarja Angela Merkel.

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë e siguroi kryeministrin Berisha se Gjermania do të vijojë të jetë një partner e mik i ngushtë i Shqipërisë dhe njëkohësisht një mbështetës i fuqishëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Dëshiroj tu siguroj se Gjermania do të vijojë të jetë një mik i besueshëm dhe një mbështetës i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh ministri WesterWelle ”Por jo vetëm kaq, Gjermania gjithashtu është e shumë e interesuar për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe për të parë zgjerimin e investimeve të saj në Shqipëri.” vijoi më tej ai.

Në takim u diskutua për një sërë fushash ku bashkëpunimi dypalësh pritet të shënojë arritje të reja të rëndësishme, si fusha e turizmit, sektori i energjisë elektrike, shkëmbimet kulturore dhe në fushën e arsimit e trajnimit profesional. Në këtë kontekst një rëndësi e veçantë do ti kushtohet zgjerimit të mësimit të gjuhës gjermane nga qytetarët shqiptare, në veçanti nga të rinjtë shqiptarë.

Në takim u vlerësua interesi gjithnjë në rritje i firmave gjermane për të investuar në Shqipëri në shumë sektorë, duke sjelle si shembull projektin më të fundit të investitorit prestigjioz gjerman, për ndërtimin e një parku logjistik, i cili pritet të krijojë 9 mijë vende të reja pune, si dhe të ofrojë trajnim profesional për qytetarët shqiptarë.

Më tej, Kryeministri Berisha e njohu ministrin e jashtëm gjerman Westerwelle me reformat e rëndësishme qe qeveria shqiptare ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, si për sa i përket zhvillimit ekonomik, krijimit të kushteve sa më të favorshme për biznese e investime, reduktimin e barrierave burokratike, administrative dhe ofrimin e iniciativave për zhvillimin e biznesit dhe rritjes ekonomike.

Duke u ndalur tek përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshëm të 23 qershorit, Kryeministri Berisha e njohu zotin Westerwelle me rezultatet e rëndësishme që janë arritur në fushën e reformës zgjedhore, çfarë ka bërë të mundur që sot Shqipëria të ketë një kuadër ligjor, zgjedhor, në të cilin janë reflektuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it dhe njëkohësisht sistemin më të saktë të numërimit të votave në planet. Arritje të rëndësishme në këtë drejtim u vlerësuan gjithashtu edhe rritja e numrit të qendrave të numërimit dhe atyre të votimit, të cilat do të bëjnë të mundur reduktimin e ndjeshëm, si të radhëve të qytetarëve që do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ashtu edhe të reduktimit të kohës së numërimit dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. “Ky kuadër eficent ligjor dhe institucional, është një garanci solide për realizimin e zgjedhjeve të përgjithshme konform standardeve ndërkombëtare” përfundoi Kryeministri Berisha.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe për situatën dhe zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Berisha ritheksoi se Shqipëria do të vijojë, ashtu si deri më sot, me politikën e saj të moderuar e promovuese të miqësisë, bashkëpunimit e integrimit rajonal dhe atij evropian. “Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është dhe mbetet projekt madhor për vendet e rajonit, si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e tyre.” theksoi kryeministri. “Ndërkohë, vijoi më tej ai, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të lihen pas ndjenjat dhe shfaqet e albanofobisë, të cilat, jo vetëm që nuk i shërbejnë paqes e bashkëpunimit në rajon, por as edhe projektit të integrimit të tij në BE.”

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin ti përcjell Kancelares Angela Merkel përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)