Në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë është mbajtur sot një takim mes eskpertëve të kësaj të fundit dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të futbollit në lidhje me vazhdimin e futbollit, të ndërprerë për shkak të koronavirusit. Në takim u bisedua në lidhje me protokollin sanitar të përgatitur nga FSHF, por nuk u mor një vendim lidhur me fillimin e aktvitetit. Në përgjithësi ministria ka qenë e kënaqur, por po shikohen disa pika të saj.
“Takimi ishte në nivel teknik, specialistët e Ministrisë dhe Grupi Teknik që vlerëson situatën ka parë materialet që ne i kemi dërguar. Patëm disa diskutime për të sqaruar edhe disa çështje të tjera dhe të jepet një përgjigje sa i përket masave, protokollit dhe zbatimit të tij në mënyrë që të fillojë kampionati dhe loja sa më shpejtë.
Datë konkrete nuk ka dhe grupi do të punojë, ne e presim sa më shpejt vendimin dhe kjo mund të jetë punë orësh apo ditësh. Sigurisht, duke plotësuar kriteret e kërkuara për të qenë brenda protokollit. Predispozicioni i Ministrisë dhe Grupit Teknik ishte maksimal për t’u rikthyer sa më shpejt me lojën në fushë,”-deklaroi Edvin Libohova, zv/president i federatws.
Sakaq edhe pse ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi se stërvitjet individuale do të nisin nga 18 maj, sekretari i FSHF-së Ilir Shulku shprehet se shpreson që kjo datë të afrohet. Sakaq lidhur me çështjen e tamponeve, pasi janë të kushtueshëm, dhe se kush do t’i financojë, sekretari i federatës shprehet:
“U diskutua edhe për tamponë që nuk do tw ketw, por do ketë kontrolle,”-deklaroi Ilir Shulku.
Burime të Report TV bëjnë me dije se ministria mund të japë lejen për rinisjen e futbollit në mënyrë të pjesshme, pasi ka klube apo kategori futbolli të cilët nuk i plotësojnë masat e parashikuara në protokollin sanitar. Ndërkohë ideja e FSHF-së është që ndeshjet të nisin në fund të majit, konkretisht me datë 30 maj ose 1 qershor, në mënyrë që mos të ketë ngjeshje kalendari pasi disa klube kanë edhe ndeshje në Kupë.