Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë në takimin e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar në Romë nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Në një postim në rrjetin social ‘X’, Hoxha e cilësoi këtë takim një mundësi për të riafirmuar angazhimin e përbashkët për të ardhmen evropiane të rajonit, duke veçuar zgjerimin si një nga investimet strategjike më të suksesshme të Bashkimit Evropian.

"Nuk mund ta theksojmë sa duhet: në një moment kur Evropa përballet me sfida të thella gjeopolitike, zgjerimi mbetet një nga investimet strategjike më të suksesshme të Bashkimit Evropian në paqe, stabilitet, siguri dhe prosperitet. Ruajtja e momentumit në procesin e anëtarësimit nuk është vetëm jetike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor; është po aq e rëndësishme për forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë gjeopolitike të vetë Evropës në të ardhmen", deklaroi ministri Hoxha.

Në takimin e nivelit të lartë ku merrnin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Hoxha nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së besueshmërisë së procesit të zgjerimit, i cili duhet të mbetet i bazuar në meritë nga të dyja palët: ‘vendet kandidate duhet të kryejnë reforma dhe të përmbushin angazhimet e tyre, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të njohë dhe shpërblejë progresin.’

Ministri i Jashtëm sqaroi se objektivi i Shqipërisë mbetet i qartë, vijimi i kursit evropian me të njëjtën vendosmëri, angazhim dhe ndjenjë qëllimi që na kanë udhëhequr deri më tani.

"Shqipëria do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur qëllimin e saj strategjik për t'u bërë anëtare e familjes evropiane brenda kësaj dekade. Kjo nuk është vetëm një ambicie kombëtare; është një angazhim i rrënjosur në reformat tona, i mbështetur nga qytetarët tanë dhe i nxitur nga bindja jonë se e ardhmja e Shqipërisë qëndron fort brenda BE-së. Dritarja aktuale e mundësisë është historike", përfundoi Hoxha.