Ministrat e Brendshëm të BE-së zhvilluan sot një takim për përforcimin e masave kundër terrorizmit. "Ministrat e Brendshëm të 11 vendeve evropiane dhe ministri amerikan i Drejtësisë, Eric Holder e gjykojnë të nevojshëm një partneritet me operatorët e internetit për identifikimin dhe heqjen e menjëhershme të përmbajtjeve që nxisin urrejtje dhe terror", theksohet në një deklaratë të përbashkët.

”Është nevojë urgjente dhe vendimtare dhe një shkëmbim i të dhënave mbi pasagjerët ajrorë evropianë”, vazhdon me tej deklarata e ministrave të Brendshëm Evropianë

”Vendet evropiane do të forcojnë kontrollet në kufijtë e Shengenit për personat që do të hyjnë dhe do të ketë një shkëmbim informacioni për udhëtarët nëpërmjet vendeve. Do të përforcohen gjithashtu rregullat për armëmbajtjen dhe internetin, pasi ky i fundit po radikalizon të rinjtë”, theksoi Ministri i Brendshmëm francez, Bernard Cazeneuve.

Madridi kërkoi gjithashtu modifikimin e marrëveshjes Shengen për mundësimin e kontrolleve në kufijtë e brendshëm të Bashkimit Evropian, ndërkohë që ministri belg i Brendshëm, Jan Jambon u shpreh për vendosjen e një liste evropiane të luftëtarëve të huaj që kanë lidhje me xhihadin. Cazeneuve falenderoi gjithë vendet europiane për solidaritetin e shprehur ndaj Francës. 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)