Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u takua ditën e djeshme me Ministrin e Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe pamje nga takimi, Ambasada Gjermane në Tiranë shkruan se ministri Krichbaum theksoi se shpejtësia e procesit të pranimit në BE të Shqipërisë përcaktohet nga ritmi i reformave që do të ndërmarrë vendi ynë, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.

Teksa shprehu mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE, Ambasada shkruan po ashtu se rezultatet e transformimit përmes reformave duhet të sjellin dobi për të gjithë shoqërinë.

“Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, zhvilloi më 14 shkurt në Mynih një bisedë produktive me Ministren e Jashtme Elisa Spiropali, në kuadër të Konferencës së Sigurisë. Ai theksoi se shpejtësia e procesit të pranimit në BE të bazuar në meritë, nuk varet nga afatet, por përcaktohet nga ritmi i reformave të Shqipërisë, para së gjithash në fushën e sundimit të ligjit. Rezultatet e këtij transformimi duhet t'u sjellin dobi të gjithë anëtarëve të shoqërisë dhe të vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Në rrugën e saj drejt BE-së Shqipëria mund të ketë besim në mbështjetjen e Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Tiranë.