Eurodeputeti gjerman takoi dy herë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, të cilit, siç informon, i ka kërkuar të kthejë opozitën në Kuvend.
Kuvendi, thotë Fleckenstein, mund të ndiqet nga opozita edhe duke protestuar, pasi sipas tij, protesta është e drejtë e çdo force politike.
"Unë ndenja dy ditë në Tiranë dhe mendoj se Tirana dhe elita politike këtu është në udhëkryq.
Ajo që ne në Evropë duam të shohim është natyrisht zbatimi i reformës në drejtësi, por edhe zgjedhje të drejta dhe të lira.
Pak më të mira se herën e fundit. OSBE/ODIHR po punon për këtë gjë dhe shpresoj që do të shkojnë mirë.
Kam parë protestat publike dhe natyrisht është një e drejtë e opozitës për të ndërmarrë protesta të tilla publike.
Dhe kjo nuk është hera e parë që dëgjoj për protesta të opozitës.
Por unë do i kërkoja miqve të mi të Partisë Demokratike që t’i kthehen punës në parlament dhe jo të thonë ose protestën ose parlamentin. Ato mund t’i bëjnë të dyja.
Unë mendoj se është e rëndësishme të mos ndalet procesi i integrimit duke ndalur procesin e Vettingut, sepse reforma në drejtësi është aq shumë e rëndësishme për të luftuar korrupsionin, për të luftuar krimin e organizuar dhe ky vend ka nevojë për atë.
Në fund të fundit ju nuk jeni duke bërë atë për Evropën dhe për Bashkimin Evropian.
Mendoj se populli shqiptar e do dhe e meriton atë", u shpreh Fleckenstein.