TIRANË-Kryeministri Edi Rama i ka propozuar kreu të shtetit emrin e ri për drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Lajmi u bë i ditur nga vetë Rama, me një shënim në faqen zyrtare në Facebook, ndërsa emri, të cilin Begaj e ka në tavolinë për kreun e SHISH është ai i Vlora Hysenit.

 “Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj. VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, shkruan Rama.

Vlora Hysenika qenë e angazhuar në udhëheqjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Ajo është shkarkuar qershorin e vitit 2021 si zv. drejtuese e AKI nga Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani prej të gjitha funksioneve të AKI-së. Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, dhjetor 2020-prill 2021.  Zonja Hyseni ka punuar disa vite në Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, ku ka qenë Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë e më pas Zëvendësdrejtore e këtij institucioni nga viti 2019, për t’u shkarkuar më pas në mesin e vitit 2021 nga presidentja Osmani.

Shërbimi Informativ shqiptar ka qëndruar pa kreun e tij për afro një vit, pasi drejtori Helidon Bendo, u largua për një trajnim të gjatë në Shtetet e Bashkuara duke dhënë dorëheqjen dhjetorin e kaluar.

Në shtator të vitit 2021, Vlora Hyseni u zgjodh të punonte si këshilltare e kryeministrit Edi Rama. Sipas ligjit për SHISH paçka se kryeministri është propozuesi drejtorit të SHISH fjalën e fundit e thotë presidenti me dekretin e emërimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:14
Rama propozoi Vlora Hysenin në krye të SHISH, reagon PD: Provokim i panevojshëm ndaj Kosovës! Begaj të informohet për shkarkimin e saj nga Kurti

1671212969_Screenshot3.jpg

Propozimi që Rama i bëri presidentit Bajram Begaj për të emëruar në krye të SHISH-it Vlora Hysenin e cila është shkarkuar më herët nga Kurti në Kosovë, ka sjellë reagime të deputetëve të Partisë Demokratike.

Nëpërmjet një reagimi në facebook, deputeti, Gazment Bardhi shkruan se presidenti, Begaj duhet të informohet mbi arsyet e largimit të Hysenit nga posti i shërbimeve të inteligjencës së Kosovës. Ai tha se ky institucion nuk mund të jetë nën kontrollin personal të Ramës.

Edi Rama ka njoftuar se ka propozuar Znj. Vlora Hyseni si drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar. Mediat raportojnë se znj. Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për “zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”. Këto raportime janë shqetësuese dhe ngrenë dyshime mbi integritetin e znj. Hyseni.

Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informoj edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë.

Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës. SHIK nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare”-shkruan Bardhi.

Në një tjetër reagim, deputeti, Kreshnik Çollaku e quajti propozimin e Ramës si një provokim të panevojshëm ndaj institucioneve të Kosovës.

“Ky rast më duket nje provokim i panevojshëm nga Shqipëria karshi institucioneve te Kosovës.  Është jashtë cdo arsyeje që kjo të ndodhë.  Midis institucioneve të dy vendeve tona duhet sa me shume bashkepunim e bashkërendim,ndersa gjeste të tilla stimulojnë konflikt të panevojshëm dhe të dëmshëm”- shkruan Çollaku.

Ora 15:54
Një grua në krye të SHISH? Kush është Vlora Hyseni

Teksa pritet firma e Presidentit Begaj për ta bërë zyrtare, Vlora Hyseni pritet të jetë e para grua që drejton shërbimet e inteligjencës shqiptare. Por kush është Vlora Hyseni? Ajo e ka udhëhequr Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë për katër muaj në Kosovë. Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti. Ajo flet disa gjuhë të huaja. Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Gjithashtu ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Ora 08:30
Rama 30 minuta në Presidencë, takim me Begajn (VIDEO)

Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim për rreth 30 minuta me Presidentin Bajram Begaj në zyrën e presidentit.  Kujtojmë se Rama takimin e fundit me Begajn e ka pasur më 6 janar.