Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga takimi i tij i sotëm me ekspertë të financave, ku u diskutua mbi prioritetet kryesore në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Në video e postuar në Facebook, Rama deklaron se është e rëndësishme që “Paqja Fiskale” të hartohet dhe të përmbyllet me sukses deri në fund të këtij viti.
Më tej kryeministri deklaron se nëse “Paqja Fiskale” konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, mund të rriten të ardhurat për buxhetin e shtetit.
“Është shumë e rëndësishme që “Paqja Fiskale” të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj. Unë kam shumë besim që nëse “Paqja Fiskale” konceptohet dhe planifikohet ashtu siç duhet, do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen, por besoj do të mund të rrisë edhe të ardhurat për arkën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që pika kyçe mbetet rritja e performancës në tërësi dhe ulja e informalitetit”, deklaron Rama.
Ndërsa ministri i Financave Petrit Malaj ka deklaruar se nga kombinimi i politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, ekonomia shqiptare do të garantojë një trajektore të re zhvillimi.
“Qëllimi ynë është i qartë dhe ambicioz. Përmes kombinimit të politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike, ekonomia shqiptare do të garantojë një trajektore të re zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”, tha Malaj.
Komente









