Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se është shumë optimist për takimin që do të mbajë në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në 27 shkurt. Duke folur për median franceze “France 24”, Kurti tha se ishte i bindur se brenda këtij viti mund të ketë një marrëveshje finale mes Serbisë dhe Kosovës.

“Mendoj se takimi i ardhshëm do të tregojë se sa shpresëdhënës mund të jemi për këtë vit. Unë jam optimist. Jam shumë optimist se mund të ketë një marrëveshje këtë vit”, u shpreh Kurti.

Ai tha se kishte një nevojë më të madhe për përfshirjen e ndërkombëtarëve me qëllim arritjen e një marrëveshje finale, por shtoi se Beogradi duhet të distancohet nga e kaluara dhe nga mbështetja e Putin.

”Ne kemi nevojë për një përfshirje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë, ne kemi nevojë që Beogradi zyrtar, që të fillojë dhe të distancohet si nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviçi, ashtu edhe nga e tashmja, domethënë nga presidenti despotik Putin”, tha ai.

Në 27 shkurt, do të mbahet takimi mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel ku pritet të diskutohet për planin franko-gjerman dhe arritjen e një marrëveshje finale mbi zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi.

Kurti ka rënë dakord me propozimin franko-gjerman ndërkohë që ka kundërshtuar kategorikisht Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar si një ‘Republikë Srpska’ brenda Kosovës.