TIRANE - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti në takim Kryeministrin e Rumanisë Viktor Ponta ku vlerësuan marrëdhëniet politike dhe tradicionale mes dy vendeve ndërsa diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit.

Në këtë kuadër Meta shprehu bindjen se vizita e Kryeministrit Ponta në Tiranë do t’i shërbejë thellimit konkret të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve tregtare, por edhe axhendës evropiane të Shqipërisë.

Ndër të tjera Meta konfirmoi krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Rumani, i cili do të drejtohet nga deputeti me origjinë arumune Pirro Kapurani.

Nga ana e tij Ponta shprehu kënaqësinë për këtë vizitë zyrtare në Tiranë dhe theksoi se Shqipëria mund të mbështetet në përkrahjen e Rumanisë në të gjitha çështjet e rëndësishme. Ponta gjithashtu shprehu përkushtimin e Rumanisë ndaj avancimit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Meta dhe Kryeministri i Rumanisë Ponta ndanë bindjen se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Rumanisë i shërben forcimit të stabilitetit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit, përfshirë Serbinë dhe Kosovën. 


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)