Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka pritur në një takim në Bruksel ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Lajmi është konfirmuar nga vetë NATO në rrjetet sociale, ku janë publikuar edhe pamje nga takimi mes dy zyrtarëve.
Në njoftim thuhet se gjatë bisedës është vlerësuar angazhimi i Shqipërisë në aleancë dhe roli i saj në forcimin e sigurisë kolektive.
“Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi në selinë e NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm theksoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj Aleancës dhe forcimit të sigurisë kolektive. Gjatë takimit u diskutua mbështetja për Ukrainën dhe siguria në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Më herët gjatë ditës, ministri Nufi zhvilloi edhe një takim me personelin ushtarak dhe civil të misionit shqiptar në NATO, po në Bruksel.
Ai vlerësoi punën dhe përkushtimin e stafit që përfaqëson Shqipërinë në strukturat e aleancës, duke e cilësuar si një model serioziteti dhe profesionalizmi.
Sipas tij, takimi shërbeu për të njohur më nga afër punën e përditshme të personelit dhe për të forcuar më tej bashkëpunimin institucional.
“Kënaqësi e veçantë takimi me ta; një moment për të vlerësuar angazhimin dhe kontributin e tyre të përditshëm, si dhe për të forcuar më tej rolin dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në aleancë”, deklaroi Nufi.
Misioni i Shqipërisë pranë NATO-s në Bruksel mbetet një hallkë kyçe në koordinimin e politikave të mbrojtjes dhe në përfaqësimin e interesave të vendit në kuadër të Aleancës Euroatlantike.
Komente










