Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ku mes tyre edhe ai i Shqipërisë Gent Cakaj, kanë mbajtur sot një takim me platformën online me Komisionerin për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Olivér Várhelyi.
“Në këtë takim digjital shprehëm mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Bashkimit Evropian në luftën kundër COVID-19 dhe nënvizuam rëndësinë e përqendrimit të mëtejmë të të gjitha përpjekjeve në përballimin e kësaj sfide,”- sqaroi Cakaj në një reagim në Facebook, lidhur me video-konferencën.
Po ashtu, Cakaj theksoi se në video-konferencë, pavarësisht rrethanave të pazakonta, u shpalos puna e Shqipërisë në rrugën evropiane dhe u theksua përkushtimi për të vepruar në përputhje me të gjitha prioritetet, siç janë paraqitur në përfundimet e fundit të Këshillit.
“Kjo është thelbësore për të përparuar edhe me tutje në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”- përfundoi Cakaj në postimin e tij.