Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përpara një detyrë të vështirë: t’i sigurojë presidentit amerikan Donald Trump se aleanca do të bëjë më shumë për të përmbushur kërkesat e tij, pa premtuar më shumë sesa mund të mbajnë vendet anëtare.
Takimi mes dy liderëve në Shtëpinë e Bardhë synon të përgatisë terrenin për samitin e madh të NATO-s që do të mbahet pas dy javësh në Turqi dhe të shmangë përplasjet e mundshme përpara se liderët e 32 vendeve anëtare të mblidhen për të përcaktuar objektivat e vitit të ardhshëm.
Megjithatë, sfidat nuk mungojnë. Ka tensione të vazhdueshme për Iranin, ndërsa disa vende ende nuk kanë arritur objektivat e dakorduara për shpenzimet në mbrojtje. Po ashtu, administrata Trump ka shtuar shqetësimet me planet e reja për të reduktuar ndihmën ushtarake amerikane në rast të një krize në Europë.
Zyrtarë amerikanë dhe europianë thonë se lidhjet mes Uashingtonit dhe NATO-s mbeten të forta. Por Rutte duhet të balancojë mes kërkesave të Trump dhe realitetit politik e financiar të vendeve anëtare, të cilat përballen me kufizime të brendshme. Për vende si Britania e Madhe, Spanja dhe Çekia, mundësitë për të shkuar përtej kërkesave aktuale të Trump janë të kufizuara.
Kjo situatë ka krijuar nervozizëm te disa vende të aleancës, si për takimin në Uashington ashtu edhe për samitin në Ankara.
“Ky mund të jetë një takim i vështirë përpara takimeve potencialisht të vështira në Ankara”, tha një zyrtar i një vendi anëtar të NATO-s. “Trump nuk është i kënaqur dhe aleanca nuk ka shumë çfarë të bëjë në afat të shkurtër. Ata tashmë kanë arritur nivelin 5 për qind dhe nuk kanë shumë ide të reja përveç rritjes së investimeve në mbrojtje dhe blerjes së më shumë armëve amerikane.”
Trump vazhdon të jetë i pakënaqur që vendet e NATO-s nuk dërguan anije luftarake në Lindjen e Mesme pasi Irani bllokoi Ngushticën e Hormuzit në shkurt. Të hënën ai kritikoi sërish aleatët europianë.
“Ata thonë: ‘Jo, më mirë të mos ndihmojmë’. Është budallallëk ta thuash këtë, sepse mund t’ua themi edhe ne atyre nëse duam, dhe mund ta bëjmë”, deklaroi Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Që prej marrjes së detyrës në fund të vitit 2024, Rutte dhe Trump kanë ndërtuar një marrëdhënie të mirë pune. Ekipi i kreut të NATO-s po përpiqet ta ruajë këtë raport edhe përpara samitit të ardhshëm.
“Rutte po përpiqet të kuptojë situatën”, tha Joel Linnainmäki nga Instituti Finlandez për Çështje Ndërkombëtare. “Ai po përpiqet të sigurohet që nuk do të ketë surpriza nga ana e Trump në Ankara dhe të identifikojë rreziqet e mundshme në samit.”
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, tha se Trump ka “një marrëdhënie të fortë” me Rutte.
“Megjithatë, presidenti mbetet i vendosur: vendet e NATO-s duhet të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre dhe duhej të kishin qenë pranë Shteteve të Bashkuara gjatë Operacionit Epic Fury”, deklaroi ajo.
Marrëdhënia e mirë mes dy liderëve është mbështetur shpesh edhe te komplimentet publike. Rutte pati tërhequr vëmendje më herët kur e quajti Trumpin “babushi i Europës”, një koment që shkaktoi pakënaqësi te shumë vende të tjera të aleancës.
Momenti më i suksesshëm i mandatit 20-mujor të Rutte ishte samiti i vitit të kaluar në Hagë, ku ai arriti të sigurojë mbështetjen për objektivin e shpenzimeve prej 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen, duke marrë edhe vlerësimet e Trump. Shumica e vendeve u larguan të kënaqura nga samiti pas angazhimeve për të rritur shpenzimet ushtarake dhe blerjet e armëve amerikane.
Samiti i këtij viti nuk pritet të sjellë vendime kaq të mëdha, por aleatët synojnë t’i tregojnë administratës Trump se po bëjnë më shumë, ndërsa përpiqen të mbushin boshllëqet e krijuara nga tërheqjet ose zhvendosjet e trupave dhe pajisjeve amerikane.
Megjithatë, shqetësimet vazhdojnë.
“Në fakt kemi një histori pozitive për të treguar lidhur me transformimin e aleancës dhe rritjen e angazhimit të Europës dhe Kanadasë”, tha një diplomat i NATO-s. “Sulmet ndaj Europës si ato të bëra publikisht nga sekretari i Luftës javën e kaluar do të ishin kundërproduktive.”
Sipas një zyrtari tjetër të NATO-s, bisedimet në Shtëpinë e Bardhë do të fokusohen te mënyra se si aleatët po zbatojnë angazhimet e marra në samitin e Hagës, duke përfshirë rritjen e investimeve në mbrojtje, zgjerimin e prodhimit të industrisë ushtarake dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.
Rutte ka ende disa argumente në dorë. Aleanca ka shtuar me dhjetëra miliarda buxhetet e mbrojtjes në vitet e fundit dhe ka rritur prodhimin vendas dhe rezervat e armëve.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë do të tregojë se aleatët po investojnë më shumë në pajisje ushtarake, tha një tjetër zyrtar i NATO-s.
“Po bëjmë më shumë dhe Rutte duhet të vazhdojë të argumentojë se SHBA-ja përfiton ndjeshëm nga mbetja si anëtare aktive e NATO-s”, tha ai.
Një nga këto përfitime është programi përmes të cilit vendet e NATO-s blejnë armë dhe municione amerikane që më pas dërgohen në Ukrainë, duke përmbushur kërkesën e Trump për përfitime ekonomike dhe njëkohësisht duke mbështetur Kievin në luftën me Rusinë.
Një tjetër zyrtar i aleancës tha se mesazhi që duhet të japë Rutte është i qartë: “unitet, pa surpriza dhe pa shfaqje publike të mosmarrëveshjeve”.
Megjithatë, shumë do të varet nga humori i presidentit amerikan dhe këshilltarëve të tij më të afërt.
Komente





