Prefekti i Qarkut të Kukësit Liman Morina është pozicionuar kundër vendosjes së taksës në rrugën e Kombit, pasi sipas tij kjo ndikon negativisht në ekonominë e familjeve të Kukësit, Hasit e Tropojës.
 
Në një prononcim për mediat, Liman Morina i ka bërë thirrje Kryeministrit Edi Rama që të mundësojë heqjen nga tarifa e pagesës të banorëve të këtij qarku, që renditet si më i varfri në vend.
 
Edhe unë si qytetarë jam kundër kësaj takse pasi banorët e qarkut të Kukësit janë njerëzit që ndëshkohen. Por unë nuk jam dakord me mendimin se kjo taksë të mos zbatohet për banorët e tjerë. Si Prefekt i bëj thirrje kryeministrit që banorëve të qarkut të Kukësit të mospërfshihen në marrjen e taksës ose minimizimin e vlerës së saj” ka thënë Morina.
 
Qëndrimi publik i prefektit Morina vjen në një kohë kur në Kukës po bëhen përgatitje për hapin e radhës të lëvizjes kundër taksës në rrugën e Kombit ku është paralajmëruar mbajtja e një marshimi paqësor.
 
Organizatorët e këtij marshim janë shoqata “Biznesi për Biznesin” dhe shoqëria civile.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)