Taksat e reja, sa do paguajmë për
shtëpitë, makinat e për bizneset

Taksat e reja, sa do paguajmë për<br />shtëpitë, makinat e për bizneset<br /><br>
Ndryshon mendje qeveria lidhur me përfshirjen e biznesit të vogël në sistemin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ka qenë vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, i cili ka lajmëruar, në një takim me anëtarët e Dhomës Amerikano-Shqiptare të Tregtisë, se bizneset që realizojnë më pak se 2 milionë lekë xhiro në vit nuk do të hyjnë në TVSH. Megjithatë, kjo përfaqëson një ulje të nivelit, nga 5 milionë që është aktualisht. Ministri ka deklaruar se deri tani kanë hyrë në skemë 9 mijë biznese, ndërkohë, si pasojë e kontrolleve të aksionit anti-informalitet, 920 sipërmarrje ndryshuan përgjegjësinë tatimore. “Nuk duam t’i bezdisim bizneset me vizita të shumta. Një vit më parë, kemi futur instrumentin e vetëkorrigjimit. Instrument demokratik për administrimin e taksave. Kemi qasje më miqësore me biznesin”, tha Ahmetaj.

Duket se tashmë Paketa Fiskale që do të aplikohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm ka marrë trajtat përfundimtare. Në të parashikohen, përveç ndryshimeve në sistemin e TVSH-së, edhe amendime të taksave kombëtare, atyre vendore, akcizave dhe tatimit mbi fitimin e ndërmarrjeve.

Debati
Jo më larg se dy javë parë, ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, që ka argumentuar arsyet se pse qeveria do të vendoste të fuste në regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar biznesin e vogël. Por, sipas tij, këtu duhej të hynte i gjithë bhiznesi, pra duke filluar nga niveli zero i xhiros. Në një takim të mbajtur në qarkun e Lezhës për konsultimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, më datë 9 tetor, Rama bëri një përmbledhje të taksave që do ndryshojnë dhe atyre që do të mbeten të njëjta në vazhdim. “Kemi nisur një operacion të rëndësishëm duke e çuar në një fazë të re luftën kundër informalitetit, ky operacion do vazhdojë çdo ditë. Siç e kemi deklaruar, do të përfshijmë gjithë bizneset në skemën e TVSH-së”, tha kryeministri. “Është e padrejtë që një pjesë e të ardhurave, që duhet t’u shkojnë mbrapsht njerëzve përmes TVSH-së, të përfundojnë tek një grusht të pasurish”.

Nga ana e tij, e ka “ulur stekën” ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili, në një takim me biznesin e vogël, deklaroi se të paktën 60-65 mijë biznese do të mbeten të përjashtuar nga nisma e deklarimit të TVSH-së. Logjika e këtij vendimi, sipas ministrit, është e thjeshtë: ata që jetojnë me prodhimet e tyre dhe nuk janë pjesë e një zinxhiri më të gjatë tregtimi nga prodhuesi tek konsumatori final nuk do deklarojnë.

“Në diskutimin që kemi pasur me kryeministrin dhe stafet, ne jemi shumë të qartë, që biznesi i vogël i disa kategorive të veçanta - dhe këtu u referohem zejtarisë, taksistit, fermerit - do të jenë të përjashtuar nga TVSH-ja; ambulantët në tregjet e bashkive gjithashtu. Pra, ai që shet fruta-perime në Lushnjë, Divjakë, Fier nuk është pjesë e detyrimit. Jo, këtë pjesë të sipërmarrjes, që jeton me punën e vet, nuk do ta futim në TVSH, por detyrimin e ka ajo pjesë e biznesit, që është pjesë e transaksioneve, të cilat rrjedhin nga biznesi i madh dhe që blejnë në zinxhir. Biznesi i vogël me një numër 60-65 mijë do të mbetet i përjashtuar, jashtë skemës së deklarimit të detyrueshëm të TVSH”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë, midis ekspertëve të financave publike ka patur një debat mes atyre që kanë kundërshtuar këtë lëvizje fiskale si të dëmshme për biznesin e vogël dhe atyre që mendojnë se një gjë e tillë mundëson formalizimin e ekonomisë në një shkallë më të madhe se sa deri tani. Këtë, si asnjë herë tjetër, e kanë mbështetur edhe bizneset e mëdha, nëpërmjet një manifestimi publik në Tiranë.  

Amendimi/ Riformatohet taksa e tabelës për të vegjëlit
Përfiton ulje tatim fitimi turizmi, por vetëm hotelet me 5 yje
Një ndryshim tjetër në aplikimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ka të bëjë me vendosjen e një shkalle të reduktuar të TVSH-së për furnizimet në strukturat akomoduese, vetëm në rast se fjala është për hotele me 5 yje, me status të veçantë, të përcaktuara këto në legjislacionin e fushës së turizmit.

Sipas ndryshimit në ligjin për TVSH-në, që duhet të miratohet në Kuvend, këto shërbime do të përdornin një TVSH në masën 6%. Sipas draftit, shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind do të aplikohej për çdo furnizim-shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese të çertifikuara “Hotel me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Tabelat
Por biznesi i vogël mendohet të ketë ndryshime edhe tek taksa e tabelës, duke ndryshuar taksimin sipas madhësisë së saj. Në paketën fiskale të vitit 2018 bëhet një riformatim i kësaj takse me një model që, sipas relacionit shpjegues, është huazuar nga Mali i Zi. “Përsa i përket këtij ndryshimi, është marrë në konsideratë eksperienca e Malit të Zi, i cili, bazuar në sipërfaqen e shtrirjes së tabelës, ka vendosur kategorizim të nivelit të taksës sipas madhësisë së tabelës. Kështu, tabelat deri në një sipërfaqe të caktuar, taksohen në nivelin 100% të taksës.

Mbi këtë sipërfaqe, për çdo diapazon rritje nga një sipërfaqe në tjetrën, niveli i taksës ulet në masat 85%, 75%, 55% dhe 40% ndaj nivelit 100%. Gjithashtu, duke qenë se përgjithësisht tabelat ndahen në të thjeshta, me ndriçim dhe elektronike, niveli i taksës ndryshon me rritje sipas këtyre ndarjeve. Niveli më i lartë është për taksën e tabelës elektronike 100%, duke u ulur në nivelet 77% për tabelat me ndriçim dhe 44% për tabelat e thjeshta” thuhet në relacion. Por, Këshillat Bashkiakë do të vijojnë të kenë të drejtë që, brenda një tavani dhe dyshemeje, të aplikojë vlera të tjera të taksave vendore.

Taksa e ndërtesës, 0.05% e vlerës për familjet, 0.15% biznesi
Taksimi do të bëhet sipas vlerës së tregut të pasurisë dhe jo sipas çmimit fiks, që bëhet aktualisht
Kalon në shqyrtim të Këshillit të Ministrave, në kuadër të Paketës Fiskale 2018, edhe ndryshimi i taksës mbi banesat. Amendimi përkatës thotë se baza e taksës mbi ndërtesat do të jetë vlera e ndërtesës, që llogaritet në përputhje me metodologjinë dhe procedurat e përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Për efekt të amortizimit të pasurisë së paluajtshme-ndërtesa, Këshilli i Ministrave duhet të specifikojë gjithashtu edhe nënkategoritë përkatëse.

“Shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës, është si më poshtë: 0.05% për ndërtesën ku taksapaguesi ka banimin e përhershëm, ose zakonisht banon; 0.15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike”, thuhet në draftin e përgatitur nga ministria e Financave.

Kush e mbledh?
Taksa e re do të mblidhet përmes një agjenti tatimor, i cili do të marrë 2% të parave të arkëtuara. “Detyrimi i taksës mbi ndërtesën sipas dispozitave të këtij ligji mund të mblidhet nëpërmjet agjenteve të taksave, të cilët kanë shtrirje territoriale, sistem elektronik të bazës së të dhënave dhe gjenerimit të detyrimeve dhe që autorizohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Agjenti i autorizuar përfiton 2% të të ardhurave të arkëtuara nga taksa e ndërtesave” thuhet në draft.

Deri tani, është thënë se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që plotëson kushtet e mësipërmne, por edhe ka marrë pjesë në përgatitjen e adresarit në gjithë Republikën e Shqiprisë, do të jetë “taksidari” në fjalë. Por nuk përjashtohet mundësia që një shërbim të tillë ta plotësojnë ujësjellësat, apo edhe ndonjë operator privat, që mbetet të mësohet.

Pak ditë më parë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një dalje para mediave, deklaroi se aktualisht është gati drafti final për taksën e pronës, e cila nis zbatimin nga 1 janari 2018. Ahmetaj hodhi poshtë zërat për një diferencim në taksim për shtëpitë e dytë dhe të treta. Formula në vetvete nuk përbën ndonjë surprise, pasi, ashtu siç ishte deklaruar, taksimi do të bëhet sipas vlerës së tregut të pasurisë dhe jo sipas çmimit fiks. “Ministria e ka të detajuar draftin për taksën e pronës dhe nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpitë e dyta.

Ajo që përmban është kalimi nga taksë fikse, në referencë të vlerës. Pra, nëse një shtëpi i është referuar gjithmonë çmimeve minimale fiskale dhe mbi të është vendosur një taksë fikse, tani do të kalojmë në nivelin e vlerës reale të shtëpisë. Po marr një shembull: shtëpia juaj nuk është 800 euro/metri katror, por në fakt është 1.200 euro/metri katror, kjo në bazë të transaksioneve. Mbi këtë vlerë reale do të aplikohet përqindja e taksës. Është një proces që s’do bëhet që më 1 janar 2018, por nis nga 1 janari. Në harkun e dy viteve do të kemi një kadastër fiskale, që do të jetë në favor të vlerës reale të pronës dhe bashkive, të cilat e përfitojnë këtë taksë”, tha Ahmetaj.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj

Rama akuzon PD-në: Nxit akte anti-shqiptare në tokë të huaj