Talebanët po sulmohen me taktikat e tyre

Talebanët po sulmohen me taktikat e tyre

Pak më shumë se një muaj qëkur rrëzuan nga pushteti Qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul, sunduesit e rinj të Afganistanit, talebanët, tani po përballen me armikun e brendshëm, i cili po përdor shumë taktika të sulmeve të cilat i kanë praktikuar vetë talebanët.

Grupi ekstremist i Shtetit Islamik (IS) paraqet kërcënim serioz për Afganistanin.

Sulmi vdekjeprurës në aeroportin e Kabulit, muajin e kaluar, dhe një seri sulmesh me bomba në qytetin Xhalalabad, që u morën përsipër nga IS-i, shpërfaqin kërcënimin për stabilitetin e vendit nga grupet militante, dhe talebanëve do t’u duhet të merren me këtë situatë, shkruan Reuters.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, këtë javë e ka minimizuar kërcënimin duke thënë se IS-i nuk ka prezencë aktive në Afganistan.

Por, komandantët talebanë në terren nuk e shpërfillin aq lehtë kërcënimin nga militantët e këtij grupi ekstremist.

Dy anëtarë të shërbimeve të inteligjencës të talebanëve të cilët hetuan disa nga sulmet e fundit në Xhalalabad thanë se taktikat që përdori IS-i dëshmojnë se ky grup mbetet një rrezik, edhe nëse nuk ka numër të mjaftueshëm të luftëtarëve dhe burime tjera që do t’i përdorte për të marrë nën kontrolll territorin.

Në sulme u përdorën bomba që ngjiten me magnet, të cilat vendosen kryesisht poshtë veturave. Ato kishin në shënjestër militantët talebanë. Të njëjtin lloj të sulmeve e kishin përdorur edhe talebanët kur sulmonin zyrtarët dhe pjesëtarët e forcave të sigurisë si dhe figurat e shoqërisë civile në përpjekje për të destabilizuar Qeverinë e mbështetur nga Perëndimi.

"Ne jemi të shqetësuar me përdorimin e këtyre bombave ngjitëse, të cilat ne i përdornim dikur për të sulmuar armiqtë tanë në Kabul. Ne jemi të shqetësuar për udhëheqjen tonë pasi ata mund të jenë cak i sulmeve", tha një nga zyrtarët e inteligjencës talebane.

Çfarë është Shteti Islamik i Khorasanit?

Shtetit Islamik në Azinë Qendrore, u shfaq disa muaj pasi luftëtarët kryesorë të grupit pushtuan Sirinë dhe Irakun, duke krijuar një kalifat të vetëshpallur ose perandori islamike, në verën e vitit 2014. Në Siri dhe Irak, u desh që forca vendase dhe ndërkombëtare të detyrohen të luftojnë gjatë pesë vjetëve pasuese, për ta rrëzuar kalifatin. Dega e tij në Afganistan, e ka marrë emrin nga Provinca Khorasan, një rajon që mbulon pjesën më të madhe të Afganistanit, Iranit dhe Azisë Qendrore gjatë mesjetës.

Ky grup njihet edhe si ISK ose IS-K.

Që nga viti 2018, grupi e ka humbur fuqinë pas një sërë humbjesh të rënda të shkaktuara si nga talebanët ashtu edhe nga forcat amerikane.

Të mërkurën, forcat talebane të sigurisë në Nangarhar thanë se kishin vrarë tre anëtarë të IS-it.

"Struktura e tyre kryesore është shpartalluar dhe ata tani janë ndarë në grupe të vogla përmes së cilave kryejnë sulme", tha një zyrtar i inteligjencës.

Ka kohë që talebanët kanë bërë premtime se nuk do të lejojnë që territori i Afganistanit të përdoret për sulme ndaj vendeve tjera.

Megjithatë, analistët perëndimorë thonë se kthimi i talebanëve në pushtet u ka dhënë hov grupeve ekstremiste siç janë: IS-K dhe Al Kaida.

Al Kaida e shndërroi Afganistanin në një bazë të veten kur talebanët ishin në pushtet në fund të viteve 90-ta.

"Kthimi i talebanëve në pushtet në Afganistan paraqet një fitore të madhe për islamistët", tha Rohan Gunaratna, profesor i studimeve të sigurisë në Universitetin Nanyang të Singaporit.

"Ata kanë festuar për kthimin e talebanëve. Unë mendoj se Afganistani është teatër i ri", tha ai.

Ende nuk dihet shumë sesi funksionon IS-K por besohet se grupi tërheq shumë luftëtarë në radhët e veta nga talebanët apo nga versionin pakistanez i talebanëve, i njohur si TTP.

Grupi ka luftuar talebanët dhe gjithashtu mbështet një Kalifat global sipas ligjit islamik, në kontrast me talebanët të cilët këmbëngulin se nuk kanë ndonjë interes jashtë Afganistanit.

Shumica e analistëve, si dhe Kombet e Bashkuara, vlerësojnë se ISI-K ka më pak se 2,000 luftëtarë, krahasuar me 100,000 sa kanë në dispozicion talebanët.

Mendohet se rradhët e IS-K janë shtuar pasi talebanët i liruan të burgosurit kur morën kontrollin në Afganistan.

Sipas një raporti të muajit qershor të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, lidhjet financiare dhe logjistike të IS-K me organizatën e saj bazë në Siri janë dobësuar, megjithëse ata ruajnë disa kanale komunikimi.

“Financimi i IS-it për degën në Afganistan besohet se ka rënë në mënyrë efektive", thuhej në raport.

Sidoqoftë, raporti tha se sinjalet e përçarjeve brenda talebanëve, të cilat tashmë kanë filluar të shfaqen, mund të inkurajojnë më shumë luftëtarë të largohen nga radhët e talebanëve.

"Grupi IS-K mbetet aktiv dhe i rrezikshëm. Veçanërisht nëse është në gjendje që duke marrë një pozicion si grupi i vetëm që kundërshton talebanët dhe në këtë mënyrë të tërheq në radhët e veta talebanët e pakënaqur dhe militantë të tjerë", tha OKB.. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat