Talibanët tentojnë vendosjen e kontrollit të plotë mbi edukimin në Afganistan

Talibanët tentojnë vendosjen e kontrollit të plotë mbi edukimin në Afganistan

Një tendë e dhuruar nga UNICEF-i

Halima, 8 vjeçe, u mërzit shumë kur mësoi se pasi kishte kaluar shumë vështirësi për t’u shkolluar nën sundimin taliban, rruga e saj e edukimit ishte bllokuar pas mbylljes së shkollës private ku ajo vijonte mësimet.

“Të gjithë ne u kthyem në shtëpi duke qarë”, tha ajo për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë duke përshkruar ditën kur ajo dhe shokët dhe shoqet e klasës mësuan se shkolla e tyre ishte mbyllur.

Ajo vijonte mësimet në një shkollë private në provincën jugore afgane të Kandaharit.

“Shkolla jonë fillimisht u mbyll nga pandemia e koronavirusit, pastaj për shkak të luftimeve dhe tani sërish u mbyll”, tha ajo.

“Ne vetëm duam të mësojmë”.

Klasa rurale ku ajo mësonte ishte një linjë shpëtimi për mësimin e matematikës elementare, gjuhëve afgane, shkencës dhe studimeve islamike, pavarësisht përpjekjeve të talibanëve – që janë në pushtet – për të kufizuar qasjen e vajzave dhe grave në edukim.

Por, mësimi u ndal kur autoritetet islamike të linjës së ashpër njoftuan se kjo shkollë, që ishte në mesin e mijëra qendrave të edukimit me bazë në komunitetit në Afganistan, do të mbyllej pas ankesave, të paspecifikuara, “nga banorët lokalë”.

Trazirat dhe varfëria në Kandahar dhe në provincën fqinje të Helmandit kanë bërë që këto dy rajone të ishin qendër e zhvillimit të qendrave të edukimit me bazë në komunitet për tri dekada. Financimi i këtyre qendrave kryesisht vinte nga donatorët perëndimorë përmes Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare joqeveritare.

Në mbarë vendin, më shumë se 500.000 fëmijë ndjekin mësimin në këto qendra, që janë të themeluara në bashkëpunim me komunitetet ku gjenden. Shpesh mësimi në këto qendra zhvillohet në shtëpi private, xhami apo në tenda të mëdha.

Grupet e ndihmës paguajnë rrogat e mësuesve, i furnizojnë qendrat me materiale shkollore dhe shpesh u ofrojnë edhe kurrikulën me të cilën mësohet në shkollat shtetërore afgane. Qendrat, që zakonisht përbëhen nga një klasë e vetme me deri në 50 nxënës, që gjysma janë vajza, po ashtu mbushi boshllëkun e edukimit në zonat e largëta, ku nuk ka shkolla shtetërore.

Por, që nga mesi i prillit, pothuajse 1.600 qendra të edukimit me bazë në komunitet në provincën e Kandaharit janë mbyllur, duke lënë 50.000 nxënës pa edukim. Numra të ngjashëm janë regjistruar edhe në provincën Helmand, por edhe në mbarë shtetin.

Ndërprerja e orëve mësimore në shkollën e Halimes dhe në shkolla të tjera duket se shfaq mbylljen e dritares së ngushtë për mësim në zonat rurale, vende ku talibanët duan të kenë kontrollin e plotë se si fëmijët arsimohen.

Munir Ahmand, që udhëhiqte një klasë të shkrim-leximit në shtëpinë e tij të ndërtuar me baltë në Dand – qark rural në provincën e Kandaharit – tha se u detyrua të mbyllte dyert për nxënësit në muajin prill.

“Është e dhimbshme të humben këto klasa sepse ato u shërbejnë fëmijëve në zonat e largëta ku nuk ka mundësi të tjera për edukim”, tha ai për Radion Azadi.

Talibanët – që janë në pushtet që pothuajse dy vjet – nuk kanë komentuar nëse kanë urdhëruar mbylljen e shkollave. Por, punëtorët e ndihmës, përfaqësuesit e organizatat për të drejtat e njeriut dhe ekspertët e arsimit sugjerojnë se grupi i linjës së ashpër po tenton të sigurohet që nxënësit e rinj të marrim edukim islamik edhe pse qendrat me bazë në komuniteti ndjekin modelin shtetëror.

Kjo, nga ana tjetër, ka çuar në shqetësime se talibanët ose synojnë të mbyllin përgjithmonë shkollat ose t’i përdorin ato si vende për të përhapur botëkuptimin dhe ideologjinë e tyre ekstremiste.

“Është alarmuese”, tha Heather Barr, drejtoreshë për divizionin e të drejtave të grave në Human Rights Watch. “Talibanët me shumë gjasa do të ndryshojnë këto shkolla në një mënyrë që është e dëmshme për nxënësit, veçanërisht vajzat”.

Edukimi ka qenë shënjestra kryesore e politikave ekstremiste të talibanëve që kur ata morën pushtetin në gusht të vitit 2021 dhe ndërmorën hapa për të çrrënjosur edukimin sekular.

Adoleshentet u ndaluan menjëherë të ndiqnin mësimet, pavarësisht premtimeve që talibanët dhanë para komunitetit ndërkombëtar, që ka thënë se qëndrimi i talibanëve ndaj edukimit të vajzave dhe grave është pengesa kryesore që zyrtarisht të njihet qeveria e këtij grupi të linjës së ashpër.

Që kur kanë marrë pushtetin, talibanët në mënyrë të vazhdueshme kanë zbatuar ndarje të ashpër gjinore dhe kanë zëvendësuar edukatorët profesionistë me klerikë.

Vitin e kaluar lideri suprem i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, emëroi aleatët besnikë, Mawlawi Habibullah Agha dhe Nida Mohmmad Nadim, për të udhëhequr Ministrinë e Arsimit, respektivisht Ministrinë e Arsimit të Lartë.

Të dy kanë punuar me zell për të zgjeruar ndalesën ndaj edukimit të grave dhe kanë tentuar të shndërrojnë shkollat në një mjet për indoktrinim duke ndryshuar kurrikulën, kanë thënë kritikët. Në disa raste, shkollat moderne janë shndërruar në medrese.

Vajzat afgane duke ndjekur mësimet fetare në një medrese private në provincën Parvar. Që nga rikthimi në pushtet, talibanët kanë shndërruar dhjetëra shkolla e universitete publike në seminare islamike.

Në dhjetor, talibanët ndaluan gratë që të vijonin mësimet universitare.

Dhe pas lëvizjes së fundit, një zyrtar taliban tha gjatë këtij muaji se qeveria e tij kishte krijuar “medrese xhihadiste” në të paktën pesë provinca. Shumë grupe militante islamiste, përfshirë edhe talibanët, kanë dalë nga shkolla të tilla fetare në Afganistan dhe në Pakistanin fqinj në vitet ’80.

Wazhma Tokhi, aktiviste afgane për të drejtat e njeriut që merret kryesisht me të drejtat e grave dhe edukimin në Afganistanin, sugjeroi se mbyllja e fundit e shkollave mund të shihet si një tjetër shembull i vendosmërisë së grupit për të çrrënjosur edukimin sekular.

“Ata duan të shndërrojnë shkollat në medrese”, tha Tokhi.

Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, që ka financuar shumë qendra me bazë në komunitet, tha se po zhvillon diskutime me talibanët lidhur me “afatet kohore dhe praktike” që këto qendra të kalojnë nën udhëheqjen e organizatave joqeveritare afgane, të cilat marrin fonde nga jashtë dhe kanë një lloj mbrojtje nga talibanët.

Tohki sheh pasoja katastrofale nëse talibanët marrin kontrollin e drejtpërdrejt të qendrave mësimore me bazë në komunitet.

“E ardhmja jonë është shkatërruar”, tha ajo./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar