Në Strasburg s’mund të nënshkruhet asnjë rezolutë e përbashkët që nuk merr në konsideratë kërkesat e protestuesve, tha deputeti Redi Muçi teksa renditi edhe njëherë kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Më pas, iu drejtua Taulant Ballës duke thënë se tallet me protestuesit kur ndan foto nga protesta, por të ketë kujdes pasi të rinjtë i ka përballë.

“Një thirrje të fundit ia drejtoj Taulantit që çdo ditë merr fotot e orës 7 nga protesta dhe tallet me protestuesit. Kujdes se përballë nuk ke Saliun, por rininë shqiptare. Vazhdo me syleshtësinë tënde. Po jua kthej me fjalët e Viktor Hygosë. ‘Milord, po ju them se populli jam unë. Sot po më shtypni e tallni, por mjafton që akulli të kriset dhe gjithçka merr fund. Dridhuni milord’”, tha Muçi.

Në përgjigje, Balla i tha se Muçi ka ardhur hajdutshe në parlament. Sa për talljen ndaj protestës, statuset e tij janë veçse transparencë për të treguar përçarjen e protestës së flamingove nga opozita.

“E para, ti ske asnjë të drejtë, as politike, as morale të flasësh në emër të popullit sepse të paktën në këtë sallë në emër të popullit ka një shumicë të caktuar nga vota e një viti më parë, ndërsa ti je thjesht dhe vetëm aksidentalisht pasi ke ardhur për shkak të dorëheqjes së një deputeti tjetër, ke ardhur hajdutshe. Nuk tallem me protestën, protesta kur nisi ishte e bukur. Meqë i ndiqni statuset e mia të orës 7, transparencë është ajo, tregon sesi kur hyri Saliu, Gonia, Qorri apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote, e këtij tjetrit dhe Gones. Po ju kthej përgjigje të dyve. Gone, sqaro si mund të shesë një njeri një apartament 151 m2 për 15 mln euro. Petët e byrekut po hapen, siç u hapën edhe historitë e përfshirjes së lloj-lloj llumi. Flamingot janë zog shumë i pastër dhe nuk rri me llumin, prandaj ikën nga ju, llum”, ia ktheu Balla.


Lajmi kryesor:

Kuvend, PD vijon bojkotin! Muçi-PS: Talleni me protestuesit! Balla: Flamingot fluturuan kur hynë Saliu, Gonia e Qorri