GJERMANI- Në një kohë kur ndodhet në Mynih për Konferencën e Sigurisë, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të lartë europianë. Dita nisi me një takim me shefin e “Total Energy Group”, Patrick Poyanné. Kreu i qeverisë bëri me dije se qëllimi i këtij takimi është investimi i  “Total Energy Group”, në Shqipëri.

“Mëngjes pune me bosin e “Total Energy Group”, Patrick Poyanné, për investimet e kolosit francez të energjisë në Shqipëri, të cilat kanë nisur me programin e projekteve të diellit e të erë”, bën me dije Rama.

Më pas, shefi i ekzekutivit ka postuar në Facebook-un e tij foto nga tryeza ku është ulur me Komisionerin Europian për Marrëveshjen e Gjelbër, Frans Timmermans.

“Me Komisionerin Europian për Marrëveshjen e Gjelbër Europiane, Frans Timmermans, mbi nevojën për të rritur mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor”, shkruan kreu i qeverisë.

Konferenca e Sigurisë në Mynih ka nisur prej ditës së djeshme dhe pritet të përfundojë të Dielën

Mes 45 liderëve të shteteve që marrin pjesë në konferencën tre ditore të Mynihut është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili më herët u takua dhe me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis. Gjithashtu kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime edhe me deputetin e Bundestagut, Johann Wadephul, të dërguarin special të BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, të dërguarin special në Bosnje-Hercegovinë, Christian Schmidt dhe ish-kancelarin austriak, Sebastian Kurz.

Gjithashtu, Rama njoftoi se kishte takuar edhe Jeanne Shaheen, kryetare e nënkomitetit për Ballkanin në Senatin Amerikan dhe senatorin Chris Van Hollen, me të cilët diskutoi mbi ecurinë e ndërtimit të mbrojtjes kibernetike, planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës, si edhe rolin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal në tërësi. Kreu i parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk është ndër zyrtarët më të lartë që përfaqësojnë vendin në luftë, në këtë konferencë dhe ai pritet të flasë para udhëheqësve të tjerë botërorë si presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz e zv/presidentja amerikane Kamala Herris. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:05
Rama takon Komisionerin Timmermans: Nevojë për të rritur mbështetjen ndaj Ballkanit

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Mynih për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, u takua sot me  Komisionerin Europian për Marrëveshjen e Gjelbër Europiane, Frans Timmermans.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale, ku ndau edhe momente nga takimi.

Mynih – Me Komisionerin Europian për Marrëveshjen e Gjelbër Europiane, Frans Timmermans, mbi nevojën për të rritur mbështetjen ndaj Ballkanit Perëndimor”, shkruan Rama në fotot që shpërndan në Facebook.