Tantra për disa deputetë të Kuvendit

Tantra për disa deputetë të Kuvendit
Nëse ndonjë guru i botës orientale, njohës i mirë i shkencës më të vjetër që njeh njerëzimi, Tantrës, do të ndiqte një seancë të së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë, nuk do të kishte dyshime, çdo situatë do ta kishte të qartë dhe të pastër si qelibar: disa nga këta burra në sallë kanë një problem të madh ekzistencial: nuk kanë tejkaluar energjinë seksuale. Për një guru apo një njohës të mirë të së Vërtetës Universale, agresiviteti i ekzagjeruar shpjegohet si pamundësia e një qënie njerëzore për të tejkaluar energjinë seksuale në fazat e duhura të procesit jetë. E sa më shumë vite kalojnë, sa më shumë kjo energji akumulohet e patejkaluar, aq më shumë individi mban brenda vetes probleme të rënda sjelljeje.

Tantra flet qarte për këtë dhe 112 metoda mbërrijnë që nga agimi i njerëzimit si mënyra për ta tejkaluar energjinë seksuale e për të gjetur mirëqiënien shpirtërore. Paqen e ndjenjave. Për Tantrën energjia seksuale është energjia kryesore që lëviz gjithë Botën, e fuqishme sa dhe energjia atomike: bimët, kafshët, njerëzit lindin e vdesin me të. Trupi i njeriut e percepton këtë energji rreth moshës 14 vjeç, me ardhjen e adoleshencës dhe e ndjen të largohet natyrshëm, nëse ka mundur ta tejkalojë përmes Dashurisë, marrëdhënieve të gëzueshme seksuale, rreth të 50-ve, atëherë kur troket periudha e menopauzës. Por, që rreth të 40-ve, nëse një individ në vend që ta tejkalojë përmes një lulëzimi të natyrshëm të gjithë energjinë e tij seksuale, e ka shtypur, e ka devijuar për shkak të kushteve social-kulturore ku ka jetuar, nuk shpëton dot prej kësaj energjie të gjithëpushtetshme derisa të vdesë. Nuk gjen asnjëherë paqe.

Për shumë individë të shoqërisë sonë, disa prej të cilëve sot janë në Kuvendin e Shqipërisë, por dhe kudo në shoqëri, kushtet në të cilat kanë jetuar nuk kanë bërë të mundur të njohin, të mësojnë se si mund të tejkalohej kjo energji. Sidomos gjatë kohës së Diktaturës, adoleshenca e shumicës në Shqipëri nuk ishte gjë tjetër veçse një shtypje e çdo energjie natyrale, mungesa e çdo lloj informacioni shkencor apo dhe religjoz lidhur me energjinë seksuale. Por nëse shtypet kjo energji në adoleshencë apo në periudhën e jetës kur është më aktive, atëherë mbetet te njeriu duke u transformuar në agresivitet e perversitete të tjera, të papërshtatshme për natyrën njerëzore.

Problemet e seksuale në Perëndim, të pranishme e të kudondodhura edhe sot kanë treguar se feja dhe baballarët e psikoanalizës Perëndimore si Freud, Jung... nuk kanë mundur të ndriçojnë njerëzit se si ta tejkalojnë këtë energji kaq potente. Perëndimi po sheh drejt Orientit sot për të arritur paqen e ndjenjave. Shtetet e Bashkuara të parët, por edhe Anglia, Franca, Gjermania, Vendet e Uleta shohin te Tantra dhe Yoga atë që shkencëtarët më të mirë Perëndimorë nuk kanë mundur të shpjegojnë e të realizojnë për mënyrën e tejkalimit të energjisë seksuale. Kudo në këto vende janë të ashtuquajturat Elita që po praktikojnë me sukses si Tantrën dhe Jogën; Intelektualë dhe artistët janë në pararojë. Nëse në Kuvendin e Shqipërisë pretendojmë të kemi çuar një pjesë të Elitës shqiptare, atëherë, për të zgjidhur problemin e agresivitetit të tepruar do t’u duhej të tejkalonin energjinë seksuale: Tantra dhe Yoga, por edhe dëshira për t’u përmirësuar, do të ishin zgjidhja. Asnjëherë nuk është vonë.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim