“Sot ky është projekti më gjigand, për herë të parë në histori që peshku i madh nuk ha të voglin dhe TAP nis me 40 miliardë dollarë investim fillestar. Ky është vetëm fillimi, pasi fusha të tjera të mëdha gazi, do t’i bashkohen në të ardhmen” - tha Berisha, i cili drejton mbledhjen.
Sipas Berishës, në pritje të burimit të gazit, TAP është tani burimi më real, më i mundshëm, më i prekshëm i gazit. Ai bëri të ditur se, TAP fillon vitin e ardhshëm ndërtimin, përfundon në 2018 dhe në 2019-n Shqipëria merr gazin e parë.
Berisha nuk ka harruar të falenderojë Presidentin e Azerbajxhanit, Aljev, "i cili tregoi ndjenjat më miqësore ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve; natyrisht e ka zgjedhur konsorciumi mbi bazën ekonomike, por mbështetja e presidentit Aljev ka qenë e palëkundur".
"Ne kemi qenë të parët, që kemi plotësuar plotësisht dokumentacionin për këtë gazsjellës. Ekipet e TAP kanë studiuar, shkelur me këmbë gjithë territorin shqiptar, ku kalon TAP dhe kanë bërë takime me komunitetin, kanë bërë një punë shumë të mirë. Shqipëria i autorizon ata të fillojnë punën në kohën e tyre më të përshtatshme", përfundoi fjalën e tij Berisha.
Më pas ai ua ka dhënë fjalën specialistëve të TAP, të cilët shpjeguan detajet teknike, duke siguruar se TAP ruan edhe standardet mjedisore sipas BERZH dhe se projekti do të ketë një harmonizim të kërkesave të ligjit për planifikimin e territorit dhe marrëveshjeve mes shtetit dhe konsorciumit.
LEJE PËR NDËRTIM HIDROCENTRALI NË LUMIN CURRAJ, KUKËS
Është miratuar sot nga Këshilli i Ministrave leja e ndërtimit për hidrocentral në lumin Curraj në Kukës.
"Lumi buron nga lartësi dhe kjo kompani studimin më serioz dhe ia ka arritur që nga 25 Mega Wat kapacitet, që ishte diskutuar për shumë e shumë vite, të arrijë në mbi 100 Mega Wat", u shpreh kryeministri Berisha, duk eshtuar se "është një kaskadë e mrekullueshme me një nga vendet më panoramike të Shqipërisë. Kompania izraelite është nga më seriozet dhe me partner shqiptar serioz. Ftoj ta paraqesin projektin".
Specialistët e projektit shpjeguan se "janë mbi 111 milionë euro investime në këtë projekt, që do të ketë edhe impakt social në atë zonë, që sot nuk mund të imagjinohet. Me një tunel është bërë e mundur lidhja e fshatit Turra i Poshtëm me Turra i Epërm, që sot udhëtohet me 6 orë në këmbë. Tuneli bën të mundur transmetimin e ujit, kalimin e këmbësorëve, makinave dhe kalimin e tensionit të lartë në këtë tunel multifunksional, meqë terreni është shumë i vështirë.
Sipas tyre, ky hidrocentral do të prodhojë 450 milionë kilovatë/orë në vit, sa çereku i Fierzës. "Para viteve '90 studimi pretendonte prodhimin e vetëm 25 Mega Wat, ndërsa sot shkon në 105 mega wat reale, argumentuar edhe nga institucione ndërkombëtare. Janë përdorur programet më bashkëkohore që ekzistojnë në botë".
"Një vepër epiko-magjike. Ndërtohet në një zonë ku më së shumti krahas njerëzve kanë jetuar legjendat. Është nga fshatrat më të bukur në Shqipëri. Tuneli ndryshon në mënyrë rrënjësore jetën. Është një kryevepër", u shpreh pas analizës së specialistëve kryeministri Berisha. Ai shtoi se "degët e Alpeve janë burime ujore, jo të mëdha, por të qëndrueshme. Ky hidrocentral jep 10% të nevojave të Shqipërisë".
EDHE HEC-E TË TJERA
Gjithashtu KKRTSH sot miratoi dhe dy Leje të rëndësishme për zhvillimin e HEC-eve Langarica 1 dhe 2 në qarkun e Gjirokastrës. Më tej janë diskutuar të tjera hidrocentrale në Orenjë në qarkun e Elbasani apo Strelca 1, Strelca2, Strelca 3 në komunën Gorë, qarku Korçë etj.
MIRATOHET ZONË TURISTIKE NË ISHËM
Janë diskutuar edhe miratime për ndërtime zonat turistike dhe planifikimi i ndërtimeve në to. KKT miratoi sot planin e ndërtimit të një kompleksi turistik në zonën e Ishmit.
Sipas Kryeministrit Sali Berisha, kjo është një nga zonat me potencial të madh turistik. Ai e cilësoi këtë si një kompleks natyror mahnitës, pasi në të përfshihen dhe kalaja e Ishmit dhe kisha.
Teksa po raportohej për ndërhyrje në fshatin e Pezës, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, e pyeti nëse "e kanë ruajtur shtëpinë muze të Ramës?". "S’e di ku është. Por është ruajtur gjithë zona historike", u shpreh përfaqësuesi i firmës ndërtuese.
Redaksia Online
(s.g/mag/shqiptarja.com)
