TAP nis në verë punimet për ndërtimin e rrugëve

/ATSH/- Në fillim të verës pritet që projekti TAP të nisë nga puna, ku Shqipëria është vendi i parë ku do të nisin punimet me përmirësimin dhe ndërtimin e rrugëve të kalimit dhe urave.
Sipas burimeve, TAP do të ndërtojë dhe do të përmirësojë rreth 110 km rrugë, do të rikonstruktojë 50 ura ekzistuese dhe do të ndërtojë 2 ura të reja, ku vlera e investimit llogaritet për këtë vit nga 40-70 milionë euro.
Sipas burimeve, TAP këto ditë ka përzgjedhur dy kompanitë fituese për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe urave në Shqipëri: "Gener 2? sh.p.k dhe "Sicilsaldo" s.p.A pas një procesi të nisur me një proces para-kualifikimi në prill 2014, që vijoi me shqyrtimin e ofertave nga kompanitë, që përmbushnin kriteret.
"Gener 2" është kompani shqiptare ndërtimi me rreth 20 vjet eksperiencë me projekte të shumta si dhe për hartimin, menaxhimin, koordinimin dhe mbikëqyrjen e projekteve private dhe atyre shtetërore, financuar nga shteti. Ndërsa "Sicilsaldo" është kompani italiane e specializuar në fushën e inxhinjerisë, prokurorimit dhe ndërtimin në fushën e naftës, gazit dhe në sektorin energjitik me shërbime që variojnë nga dizajni i strukturave, tek mirëmbajtja e impianteve dhe gazsjellësve.
Projektet e parashikuara në kontratën me dy kompanitë kanë ndërtimin dhe rehabilitimin e mbi 100 kilometrave rrugë përgjatë shtegut të gazsjellësit nëpër trasenë që nis nga Qarku Korçë në fshatrat Vishocicë, Trestenik, Vithkuq dhe Shtyllas, kalon në fshatin Kakrukë dhe rrethinat e Potomit në qarkun e Beratit dhe në Topojë të qarkut Fier. Ndërsa do të ndërtohen 2 të reja, pritet të rikostruktohen rreth 50 ekzistuese në zonat e Korçës, Beratit dhe Fierit.
Sipas burimeve nga TAP, në Shqipëri punimet e tubacionit do të prekin rreth 11.000 parcela toke. Marrëveshjet mes TAP dhe pronarëve dhe përdoruesve të tokave që preken, parashikojnë pagesat dhe kompensimet përkatëse para fillimit të punimeve. Puna për këtë proces ka nisur që në vitin 2013 dhe deri sot, sipas burimeve të TAP-it janë lidhur një numër shumë i lartë marrëveshjesh me pronarët e tokave që preken nga projekti. Procesi i sigurimit të të drejtave mbi tokën po ecën sipas afateve dhe në përputhje me standardet e performancës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Pas punimeve me rrugët dhe urat, TAP do të nisë ndërtimin e tubacionit, që do të nisë sipas planifikimit në vitin 2016.
Projekti TAP (Gazsjellësi Trans Adriatik) po ecën sipas parashikimeve me qëllim, që sipas planit të jetë gati në vitin 2020, kohë kur do të nisë prodhimi i gazit prej vendburimit Shah Deniz. Gjithashtu TAP pritet të mbështesë zhvillimin e Master-Planit për gazin shqiptar, ç'ka do ta vendosë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të gazit.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë