Tapet të kuq vetes

Tapet të kuq vetes
Në jetën e përditshme shqiptare po ndodhin eksese. Disa bashkëqytetarë vërtetë po e ekzagjerojnë. Po administrojnë keq vendin, po grabisin pa kufi të mirat e përbashkëta dhe si pa të keq, u vënë tapet të kuq vetes. Nuk e kuptojnë? Dhe kur nisin ekzagjerimet, humb harmonia. Një shoqëri në harmoninë e të kundërtave është e bukur: ekziston e mira, por edhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, e pasura dhe e varfëra, por në harmoni. Ekseset janë rruga drejt greminës, mllefeve, sëmundjeve, krimit. Pasuri e tejskajshme, varfëri e tejskajshme. Liri individuale e bllokuar.
Keqbërësit marrin krah, kur shohin njerëzit që bëjnë Shtetin të merren me punët e tyre dhe sidomos me një punë: pasurimi me çdo kusht dhe me çdo mjet.
Shumë qanë këto ditë vrasjen e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj dhe më shumë nga të gjithë qanë politikanët, ata që e kanë në dorë të ruajnë harmoninë, përmes rregullave dhe zbatimit të ligjit. Fenomeni “Xhakaj”, është një shpërthim që nuk vjen papritur, në ditën për diell në shoqërinë tonë. Eshtë mbarsur në gjithë këto vite me një bashkëpunim: policë që nuk mbledhin prova, prokurorë që nuk ofrojnë fakte, gjykatës që nuk japin drejtësi dhe pak media që i denoncojnë dhe politikanë që kujdesen të mbijetojnë. Duket sikur u vra një kryekomisar dhe halli i mbetet vetëm familjes së tij. Nuk është kështu. Problemin e këmi të gjithë.
Disa mendojnë se të struken në shtëpinë apo shtëpitë e tyre, mes pasurisë, mirëqënies që kanë krijuar - shpeshherë jo falë aftësisë për të bërë para’ (është talent dhe duhet inkurajuar kush di të bëjë para’ me punën e tij) por falë servilizmit ndaj pushteteve të radhës, - arrijnë lumturinë. Nuk është kështu. Sidomos në një vend të vogël si ky i yni, ku njihen e kanë lidhje të gjithë, është e lehtë që trishtimi e dhimbja e fqinjëve, të anulojë lumturinë e disave edhe vetëm përmes frymëmarrjes.
Vendi po pëson eksese në frikë, ekzagjerime në ekonomi. Shumë i kanë vënë re supermarketet gjigande, moderne, të bukura në Tiranë dhe rreth saj. U mahnitën emigrantët. “Luks të tillë nuk ka as në Itali!”, thanë. Janë bërë vërtetë bukur. Por mjafton të shkosh jo më shumë se tre herë në këto superdyqane e të kuptosh se ka aq pak blerës sa nuk numëron as një dyqan fruta perimesh në Selanik. Kush blen dhe si mbajnë veten këto superbiznese? Mister. Vendi po humb harmoninë ekonomike me njerëz që po marrin çfarë të mundin, e të tjerë që punojnë e lodhen pa pasur të sigurtë rrogën në fund të muajit.
Disa bashkëqytetarë po humbin realisht sensin e masës. Ekzagjerojnë në gjithçka. U vënë tapet të kuq vetes dhe kalojnë kohën duke u vetëpëlqyer në pasqyrë, pa e vrarë mendjen dhe pa e kuptuar se dëmi i madh që po i bëjnë vendit, u kthehet në kurriz.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Honda shkrihet me Nissan sjellin kompani të re të përbashkët prodhimi

Honda shkrihet me Nissan sjellin kompani të re të përbashkët prodhimi