Taravari: Koha e shkurtër dhe qeveria e paqëndueshme në Bullgari, pengesa për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut

Taravari: Koha e shkurtër dhe qeveria e paqëndueshme në Bullgari, pengesa për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut

Një nga drejtuesit e koalicionit VLEN që bën pjesë në koalicionin qeveritar në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari thotë se ndryshimet kushtetuese lidhur me pakicën bullgare që janë kusht për ecurinë e vendit drejt Bashkimit Evropian , ishin të pamundura të bëheshin brenda 100 ditëve dhe me një qeveri teknike dhe jostabile në Bullgari. Taravari i bëri komentet pas shkëputjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në procesin e integrimit në BE, për shkak të mosplotësimit brenda afatit të ndryshimeve, gjë që ka nxitur reagime në Shkup.

Opozita akuzon pushtetin për politikat që ajo thotë se shkaktuan ngecje dhe për mungesë vullneti për ta çuar vendin drejt familjes evropiane, por Taravari, në një intervistë për Zërin e Amerikës, hodhi poshtë këto kritika dhe tha se shpreson që pas zgjedhjeve të 27 tetorit në Bullgari të dalë një qeveri e qëndrueshme dhe të ketë një garanci që rreth Vitit të Ri të votohen ndryshimet kushtetuese dhe të fillojnë negociatat me BE-në.

Taravari konfirmoi angazhimin e koalicionit VLEN për të siguruar të drejtat e shqiptarëve dhe bëri përgjegjëse qeverinë e mëparshme, përfshirë BDI-në për disa probleme që po has vendi dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: Zoti Taravari, ngecja e procesit të integrimit në BE e Maqedonisë së Veriut, po kritikohet si dështim me pasoja të rënda i qeverisë suaj. Cili është reagimi juaj?

Arben TaravariFatkeqësisht, është e vërtetë se ne dështuam, edhe pse prej vitit 2018 ish-pushteti, flas për BDI-në dhe LSDM-në kanë bërë 5 ose 6 konferenca shtypi se Maqedonia filloi neogociatat me BE-në dhe në fakt tani e shohim se ne nuk i kemi filluar negociatat. Shqipëria i fillon, ndërsa Maqedonia ngec. Ne për 100 ditë nuk mundeshim të bëjmë më shumë. Shqipëria po ecën përpara për arsye se zgjidhën disa probleme; nisën luftën kundër krimit dhe korrupsionit që është shumë e rëndësishme. Të mos harrojmë se Shqipëria në dy vitet e fundit ka bërë një hap të përshpejtuar kundër krimit dhe korrupsionit dhe shumë funksionarë në Shqipëri janë në procese gjyqësore. Në Maqedoni (të Veriut) kishim një Prokurori Speciale e cila u mbyll. Ishte njëfarë shprese se do të luftohej krimi dhe korrupsioni. Domethënë, edhe një prej kushteve të tjera që duhet t’i plotësojë Maqedonia (e Veriut) ishin ndryshimet kushtetuese. Por ndryshimet kushtetuese për njëqind ditë me një qeveri teknike dhe jostabile në Bullgari është e pamundur të bëhen. Prandaj, mendoj se nuk është vetëm ndryshimi i kushtetutës. Ky ishte kusht i domosdoshëm, por edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit... në Maqedoni kemi ngecje të jashtëzakonshme; kemi lulëzim të krimit dhe korrupsionit në njëzet vitet e kaluara dhe posaçërisht në shtatë vitet e kaluara.

Zëri i Amerikës: Zoti Taravari, gjithsesi është e qartë nga Bashkimi Evropian se pikërisht mungesa e ndyshimeve kushtetuese ishte ajo që nuk do të bënte të mundur ecjen e Maqedonisë së Veriut në krah të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe në fakt koalicioni juaj ka mbrojtur qëndrimin që këto ndryshime kushtetuese duhet të bëheshin dhe duket se është më shumë mungesë vullneti se mungesë kohe e qeverisë suaj. A jeni tërhequr ju nga qëndrimi juaj?

Arben Taravari: Absolutisht, ne mbajmë qëndrimin se nuk ekziston rrugë tjetër për Maqedoninë përveç rrugës evropiane dhe kjo është e pakontestueshme edhe për Kryeminisrtin (Hristijan) Mickovski edhe për koalicionin VLEN. Ne do të bëjmë çmos në këtë periudhë të ardhme që të gjendet njëfarë zgjidhjeje, por besoni se është vështirë të gjendet një zgjidhje në periudhën e pas zgjedhjeve. Ne tani bëjmë njëqind ditë qeveri duke mos pasur një partner në anën e Bullgarisë, e cila së paku Maqedonisë (së Veriut) në këtë periudhë i duhet njëfarë garancie se nuk do të ketë kërkesa të tjera, prej Brukselit apo Uashingtonit. Duhet të gjendet një zgjidhje edhe pse numrat i kemi gati (për ndryshimin e Kushtetutës); numrin prej 80 deputetësh e kemi gati qysh tash, por qeverisë së re i duhet një garanci se nuk do të ketë kushtëzime të tjera. Sepse përvoja e Maqedonisë është shumë e hidhur. Atëherë kur pritej të fillojnë negociatat, pasi e ndryshoi emrin, praktikisht pati veto të ndryshme; njëherë nga Greqia, pastaj Franca e më pas nisi problemi me Bullgarinë. Ne do të mundohemi që menjëherë pas zgjedhjeve të 27 tetorit në Bullgari, urojmë dhe shpresojmë të ketë një qeveri stabile atje, të kemi një garanci që rreth Vitit të Ri të votohen ndryshimet kushtetuese dhe të fillojnë negociatat me BE-në.

Zëri i Amerikës: Para pak ditësh zoti Mickovski u shpreh indiferent ndaj paralajmërimit të një deputeti të partisë tuaj (Halil Snopçe) i cili theksoi se koalicioni VLEN do të largohej nga qeveria nëse do të miratohej një ligj për ish-pjesëtarët e forcave qeveritare të sigurisë – ushtrisë e policisë nga konflikti i armatosur i vitit 2001. Qëndrimi i tij mund të ketë përforcuar zërat se koalicioni juaj është në një pozitë inferiore brenda kolicionit qeveritar dhe kujtojmë këtu se opozita shqiptare, BDI ju ka cilësuar si “vasalë”. Si përgjigjeni ju?

Arben Taravari: Ai është bashkërendues i grupit parlamenttar të koalicionit VLEN dhe një prej deputetëve të Aleancës per Shqitarët dhe me të drejtë e ka thënë. Bëhet fjalë për një ligj, i cili pesë herë është votuar nga BDI-ja, më 2001, 2002, 2005, 2006 e tani edhe një herë. Zoti (Ali) Ahmeti u paska premtuar LSDM-së dhe partive të tjera se menjëherë pas zgjedhjeve të 2024-ës do ta votojë edhe njëherë ligjin e “branitellave” (mbrojtës) dhe ne nuk e lejojmë këtë. Ne do të mundohemi që me metoda demokratike, normalisht parlamentare që ta pengojmë këtë. Zoti Mickovski ashtu ka menduar dhe ne i thamë se duhet kompromis, se ne e shohim qeverinë si partneritet e jo si imponim. Plus, ky ligj nuk është propozuar nga VMRO-DPMNE-ja por është një ligj që provokon nëpërmjet BDI-së dhe LSDM-së.

Zëri i Amerikës: E kisha fjalën më shumë tek dinamika brenda qeverisë…

Arben Taravari: Qeveria është stabile brenda saj dhe këtë mund ta them me plot përgjegjësi. Nëse BDI-ja na thotë “vasalë” unë them se ata janë njerëz që vazhdimisht presin prapa dyerve të qeverisë. Vazhdimisht janë duke bërë presion për të hyrë në qeveri, sepse kjo parti 22 vjet ka qenë në pushtet dhe nuk është mësuar të jetë në opozitë, por i ngjan opozita. Unë mendoj se ata janë burra, të cilët duhet të qëndrojnë në opozitë. Nuk është 100-ditëshi i parë... mendoj se shumë vite do të presin në opozitë dhe mendoj se dalëngadalë duhet të adaptohen në opozitë. Besoni se këto shpifje dhe lajme të rreme që i përhap BDI-ja për të krijuar një bindje se shqiptarët në qeveri janë vasalë, kjo është tërësisht një inxhiniering nëpërmjet mediumeve, ndërsa BDI-ja ka burime të mëdha financiare dhe ditët që vijojnë mendoj se do të jenë të vështira për BDI-në, posaçërisht për krimin të cilin e ka bërë gjatë qeverisjes 22-vjeçare. Kjo është arsyeja kryesore pse ata janë të shqetësuar dhe mundohen të krijojnë imazhe negative për partitë që janë pjesë e qeverisë, aktualisht.

Zëri i Amerikës: Le të kujtojmë që BDI-ja ka mbështetjen e shumë shqiptarëve, megjithatë duket se mosmarrëveshjet mes koalicionit tuaj dhe BDI-së, por edhe brenda forcës suaj politike mund të shkaktojnë një fragmentim që dëmton përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, duke pasur parasysh edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin deri në marrjen e vendimit përfundimtar të instrumentit të quajtur “Balancues” që synon punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve etnike në bazë të përqindjes që përbëjnë, si edhe shqetësimin për përdorimin e shqipes. Si u përgjigjeni këtyre shqetësimeve?

Arben Taravari: Dua të sqaroj se në Maqedoni jemi dy blloqe: BDI-ja dhe VLEN-i. BDI-ja dhe satelitët, parti më të vogla të cilat ishin pjesë e VLEN-it, por BDI-ja i shkëputi para zgjedhjeve dhe ka parti të pakicave. Pra BDI-ja nuk është opozitë shqiptare...

Zëri i Amerikës: Le të flasim për thelbin e prekjes së interesave të shqiptarëve…

Arben Taravari: Vetëm të sqaroj për opinionin publik, këtu ka parti boshnjake, turke dhe rome. Ka dy, tre probleme. E përmendët ‘balancuesin’ dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Dua të them se këto probleme nuk janë ta tanishme. Këto probleme në Gjykatën Kushtetuese janë inicuar në vitin 2018 ose 2019. Praktikisht, këto dy lëndë në Gjykatën Kushtetuese janë mbajtur në sirtarë për pesë vjet dhe tani, paramendoni për 100 ditë qeveri aktivizohen këto lëndë.

Zëri i Amerikës: Jeni ju të aktivizuar mjaftueshëm dhe me forcë të plotë për t’i trajtuar këto probleme?

Arben Taravari: Absolutisht. Fatkeqësisht, në Maqedoni politika ka shumë impakt të jashtëzakonshëm në gjyqësor. Besueshmëria në gjykatat e Maqedonisë është 2 përqind. Këta gjykatës të Gjykatës Kushtetuese kanë ndikim të jashtëzakonshëm nga pushteti i kaluar sepse ata i kanë zgjedhur. Balancuesi ishte një mjet, instrument për përfaqësimin e drejtë jo vetëm të shqiptarëve por të të gjithëve. Por u keqpërdor; një shqiptar deklarohej si maqedonas për t’u punësuar, një maqedonas si shqiptar dhe keqpërdorej... Ne na duhet një ligj për përfaqësimin e drejtë, sepse përfaqësimi i drejtë tashmë është kategori kushtetuese. Dhe përdormi i gjuhës shqipe... nuk bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe, por vetëm për tre pika të përdorimit te gjuhës shqipe: në kartëmonedha, në polici (shenjat e uniformës) dhe nëse do të përdoret në gjykata. Unë jam skeptik lidhur me përdorimin e deritashëm të shqipes në gjykata. Mbase me përkthyes, por seancat në gjuhën shqipe aspak nuk janë mbajtur. Ndryshe, aspak nuk kontestohet përdorimi i gjuhës shqipe; mbetet e njejtë, vetëm se këto tre gjëra, pasi që BDI bashkë me LSDM-në ligjin të cilin e votuan në vitin 2017 për përdorim të gjuhës shqipe pa dëshirën tonë dhe pa miratimin e opozitës e dërguan në Komisionin e Venecies dhe nga atje dhanë tre sugjerime se këto gjëra duhet të rishqyrtohen./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë