Ditën e djeshme Z. Reshat Gega një arkitekt freelance botoi një shkrim të gjatë ku hidhte mjaft vrer mbi të gjithë ata që kanë kundërshtuar idenë e dhënies me koncesion afatgjatë të Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare. Duke parë se Zoti Gega në shkrimin e tij e kishte humbur kontrollin duke kaluar në sulme personale duke ju shmangur qëllimisht debatit qartësisht duket se kundërshtimi ynë I ka dhembur pa masë atij, por jo vetëm. Në fakt në debatin tim publik unë nuk jam marrë fare me Zotin Gega pasi Arkitekti Gega ka qenë dhe është thjesht një përfitues i tenderave të Ministrisë së Kulturës dhe jo politik bërës në fushën e Trashëgimisë. Duke dashur të mos humbasim fokusin e debatit unë po vazhdoj të merrem me çështjen kryesore dhe jo me fletërrufenë e Z.Gega.
Si ish-komunist i vendosur që denonconte kolegët e tij Z.Gega ka një përvojë të madhe në këtë fushë. Çështja që unë dhe kolegët e mij debatojmë është e qartë. A duhet apo jo t'i jepen Biznesit Kështjellat dhe Fortesat Historike të Trashëgimisë sonë? Bazuar në cilat kritere profesioniste mund të jepen këto Kështjella? Kush i bën Projektet e restaurimeve IMK si një institucion shtetëror apo Arkitektë freelence që paguhen nga Biznesi? A kanë Projektet e restaurimit profesionalizmin e kërkuar nga Konventat Ndërkombëtare?
Më poshtë duke dhënë një shembull konkret po ilustroj qartë mendimin tim të shprehur publikisht kundër këtij Projekti të Qeverisë jo politikish si rreket të flasë Z. Gega & Co por nga zëra profesionale në fushën e restaurimeve.
Prof. Gianclaudio Machiarela, Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Ballkanike në Universitetin Cha Foscari në Venecia ka disa vite që drejton një ekspeditë studimore në zonën e Delvinës. Personalitet i shquar i kulturës Italiane ekspert i studimeve Bizantine dhe Islamike Prof. Machiarela dhe ekipi i tij ndër të tjera ka studiuar me një profesionalizëm shkencor në veçanti Manastirin e Mesopotamit. Eksperti shqiptar, i cili me miratimin e Ministrisë së Kulturës punon në restaurimin e këtij Monumenti unikal në Shqipëri është Arkitekt Reshat Gega. Ministria e Kulturës për publikun shqiptar në debatin e fundit ka sjellë si shembull projektin e Zotit Gega për Kalanë e Lezhës duke treguar se sa profesionalisht mund të paraqiten këto Projekte restauruese. Për Ministrinë e Kulturës, Shefin e tij si dhe për lexuesit shqiptarë në këtë shkrim po sjellim një zë të pa politizuar, i cili ka dy vjet që informon Ministrinë e Kulturës se Kisha e Shën Nikollës në Mesopotam do të rrëzohet shumë shpejt për shkak të ndërhyrjeve jo profesionale dhe të gabuara që ka kryer i emëruari i Ministrisë së Kulturës Arkitekti Reshat Gega. Duke mos qenë as arkitekt dhe as i përfshirë në projekte restauruese me fondet e komunitetit ndërkombëtar them se nuk mund të më akuzojë kush se po shkruaj si rezultat i ndonjë xhelozie profesionale ndaj Arkitektit Gega. Me lejen e Profesor Machiareles po sjell për lexuesit shqiptar pjesë nga letra e gjatë që ai ka shkruar mbi problemet e shumta të punimeve restauruese në Mesopotam. I takon Ministrit të Kulturës për të verifikuar në se problemet që sjell Profesori i njohur italian qëndrojnë apo jo. Nëse po atëherë shikohet qartë se Ministria e Kulturës po promovon si model të saj, një Projekt restaurimi të hartuar nga një arkitekt, i cili sipas ekipit italian ka ndërhyrë aq keq në Monumentin e rrallë Bizantin të Mesopotamit saqë shumë shpejt ky Monument mund të rrezohet. Kur përmenda fjalën rrëzim në shkrimin tim të mëparshëm sigurisht unë i referohesha një Raporti të përgatitur nga ekspertë ndërkombëtar mbi këtë çështje. Megjithëse Z.Gega shkruan se kjo është fantazia ime dashakeqëse le t'ia lëmë lexuesve që të nxjerrin vetë përfundimin e nevojshëm.
Ja çfarë shkruan Profesor Machiarela:
I Dashur Auron, shqetësimet tona për Mesopotamin nuk janë vetëm për 4 Kupolat por për të gjithë Monumentin në tërësi. Që nga Dhjetori i 2010 disa prej strukturave mbështetëse si p.sh. ato që mbanin Murin në Jug të Kishës, kolonat e mëdha që mban narteksin e brendshëm apo kolonat e tjera që mbanin kupolat e rënda, të gjitha janë të shkatërruara apo gati në heqje të plotë. Të gjitha këto struktura mbështetëse janë historike pasi janë pjesë e restaurimit të përgjithshëm që Kisha e Shën Nikolës pati pas tërmetit shkatërrimtar të 1743. Sipas studimit archeo-geologists të ekipit tonë ky tërmet ka pasur pasojat e një Tcunami që goditi Adriatikun Jugor. Me gjithë përdorimin e rripave oksidues prej çeliku përqark Kupolave që kanë zëvendësuar Pilastrat (të vendosura provizorisht sipas arktitektit Gega) rreziku i rrëzimit të struktures së Kishës është shumë i lartë veçanërisht duke njohur aktivitetin sizmik të zonës. Nga të dhënat e grumbulluara nga ekipi i ekspertëve të mij nga Universiteti Politeknik i Milanos me pajisje speciale nga 38 pika të ndryshme të Kishës gjatë një periudhe mbikqyrje prej 18 muajsh (Dhjetor 2007- Qershor 2009) kemi të qartë se asnjë survej paraprak nuk është bërë mbi Monumentin përpara se të fillonin aktivitetet restauruese. Me fjalë të tjera Arkitekti Gega nuk paraqit dot asnjë studim shkencor apo llogaritje për të mbështëtur propozimin e ti për këtë ndërhyrje. Me sa duket punimet e kryera kanë qenë një çështje "intuite" apo eksperience "praktike".
Faktet e Profesor Machiarelës që i janë drejtuar prej kohësh Ministrisë së Kulturës janë shumë shqetësuese për këdo që e njeh fushën dhe e kupton realisht rrezikun që i kanoset Monumentit Bizantin të Mesopotamit. Kuptohet qartë nga fjalët e Prof Machiareles se Arkitekti Gega nuk ka pasur asnjë studim shkencor për të justifikuar ndërhyrjen e tij në këtë Monument Kulture të Klasit të Parë. Po në Projektin e Kalasë së Lezhës për të cilin Arkitekti Gega thotë se është ai autori i saj me çfarë kriteresh ka operuar? Duke pasur parasysh që Ministria e Kulturës ka emëruar Arkitektin Gega si specialist për një studim të Kalasë së Gjirokastrës financuar me fonde europiane në 2006 tashmë mund të kuptojmë qartë se çfarë përfundimesh ka arritur Arkitekti Gega për këtë Kala. Me sa duket kjo "intuite" apo "eksperience" e ka ndihmuar atë edhe në punimet e Kalasë së Peqinit - një nga shembujt më të prekshëm se si një kullë e Mesjetës së vonë mund të kthehet në një qebaptore. Ndërhyrja brenda Kalasë së Elbasanit ku janë gërmuar male të tërë me material arkeologjik duke zbuluar një mur të lartë mbi sfond restorant-picerisë së mësipërme e cila nga ana e saj, kur u ndërtua, varrosi një tempull bizantin. Projektit të restaurimeve të disa Objekteve të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër me një fond diku prej 1.5 milion euro i lançuar me bujë nga Qeveria. E mbështetur fuqimisht nga ish-Ministri i famshëm Pango si një prej margaritarëve të punës se tij, restaurimet e Z.Gega & Pango mund të shikohen realisht nga qytetarët gjirokastritë, të cilët i ka zënë belaja me vrimat e shumta nëpër çati, drurin jashtë standartit që është përdorur apo punimet restauruese jashtë çdo kriteri ndërkombëtar. Megjithatë le të vazhdojmë me ato që përshkruan Prof. Machiarela në letrën e tij.
Po të dergoj bashkangjitur Raportin Teknik i hartuar nga eksperti më i mirë në botë për strukturat inginierike në restaurimet e Monumenteve Prof. Luigia Binda nga Politekniku i Milanit. Do të gjesh në këtë Raport ilustrime mbi problemet e ndërtesës si dhe konkluzione mbi shqetësimet tona mbi metodologjinë (në se ka pasur ndonjë të të tillë?) e restaurimit të ndërmarrë nga Arkitekti Gega. Ky Raport është bërë në 2010 pas një inspektimi të përbashkët nga IMK dhe Universitetet e Milanit dhe Venecias të drejtuar nga unë dhe Drejtori i IMK.
Dy muaj me vone Drejtori i IMK i ka shkruar Ministrise se Kultures për të paraqitur shqetësimet e tija mbi metodat e ndjekura në këto restaurime. Po kështu Ministrit të Kulturës ju kërkua krijimi i një komisioni ekspertësh, i cili do të bënte të mundur dhënien e një gjykimi të pa varur profesionist mbi të gjitha datat e mbledhura për të përcaktuar stabilitetin apo jo të Monumentit. ... Nga informacioni që kam më rezulton se edhe sot pas gati një viti përcaktimi i një Komisioni të tillë është akoma në proces diskutimi nga Drejtoria e Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës. Me sa duket punimet restauruese të ndërmarra nga Arkitekti Reshat Gega në Kishën e Shën Nikollës por edhe në Rusan dhe në Sarandë në 2009 kanë qenë jashtë kontrollit të IMK. Me fjalë të tjera Arkitekti Gega përgjigjej direkt vetëm tek Ministri i Kulturës, i cili jepte edhe fondet për këto punime dhe jo IMK-s.
Besoj i dashur Auron se ju do ti raportoni në mënyrë korrekte këto fakte të cilat po ju shkruaj. Unë akoma po pres një kompesim moral për atë që ne i kemi dhënë Shqipërisë, për kohën që i kemi dedikuar, pasionin dhe paratë për valorizimin dhe shpëtimin e Trashëgimisë Kulture unikale Tuajën.
Sinqerisht Juaji
Gianclaudio
Letra e Profesor Machiareles është e qartë. Faktet ai i ka depozituar pranë Institucioneve shqiptare, të cilat kanë detyrën ligjore për t'i verifikuar. Megjithatë çdo lexues e kupton qartë se çfarë kriteresh restauruese përdor Arkitekti Gega, i vetmi arkitekt, i cili ka 6 vite që përfiton tenderat kryesore të Ministrisë së Kulturës në restaurime. Z.Gega mund të shkruajë fletërrufetë që dëshiron. Si ish-komunist i vendosur që denonconte kolegët e tij ai ka një përvojë të madhe në këtë fushë. Por Z. Gega duhet ta ketë të qartë se shumë shpejt do të përballet me të vërtetën dhe do të japë llogari për të gjitha dëmtimet qe i ka bërë Trashëgimisë Kulturore Shqiptare