Tarifa e ujit në Tiranë, 6 herë më e
lartë se sa parimi matës

Llogaritja e tarifimit të ujit kryhet me anë të një metodologjie të mirëpërcaktuar. Kjo formulë së pari duhet që të furnizojë me ujë familjet me të ardhura të pakta. Ky parim është parashikuar nga Enti Rregullator i Ujit (ERU), i cili shpjegon se ky kufi vlen edhe për ndërmarrjet shqiptare  të ujit qoftë ato në pronësi publike apo private.

ERU thotë se tarifa, që familjet me të ardhura të uleta duhet të paguajnë, nuk duhet të jetë më shumë se 5 për qind e të ardhurave mujore, por në Tiranë tarifat aktuale të ujit jo vetëm që kapërcejnë këtë kufi po janë disa herë më të larta.

Tarifa afrofe e ujit në Tiranë për persona që nuk kanë matës në zonën e Komunës së Parisit është 2340 lekë.

Kjo vlerë është sa 15 për qind e pensionit mesatar në Tiranë. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar në zonat urbane në vitin 2016 ishte 14,873 lekë. Për rrjedhoje tarifa e faturës afrofe e ujit që duhet të paguajë një pensionist,  që jeton vetëm, është sa 15 për qind e të ardhurave mujore ku parimi që udhëheq vendosjen e tarifave të ujit kërkon që të jetë më pak se 5%.

Gjithashtu fatura afrofe e ujit zë 28 për qind të të ardhurave të një famijle që jeton me ndihmë ekonomike, e cila aktualisht në nivelin maksimal të saj është 8000 lekë në muaj. Përllogaritjet tregojnë se fatura e ujit edhe me çmimet aktuale është më e lartë se aftësitë paguese të familjeve me të ardhura të ulëta.

Sipas relacionit të vendimit të bashkisë për familjet propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3. Ndërkohë rritja për bizneset është propozuar 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3.

Sipas relacionit të Bashkisë, shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit UK Tiranës, nga 75% ne 2016, në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021, dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018, shkruan Monitor.

Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura.

Fitimi i kompanisë, para taksave , ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.


Redaksia online
D.M/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen