Tarifat e energjisë, Ramadani
kreu i ERE gati t'i shtrenjtojmë

Tarifat e energjisë, Ramadani<br />kreu i ERE gati t'i shtrenjtojmë
TIRANE- Enti Rregullator i Energjisë (ERE) është i gatshëm të rritë tarifat për konsumin e energjisë elektrike për të gjitha kategoritë e klientëve. Këtë e ka pranuar  kryetari i EREsë, Sokol Ramadani, në një intervistë të publikuar sot për Shqiptarja. com. Këto tarifa ishin ngurtësuar për tre vjet, në fund të vitit 2011.

Dy ditë më parë, me anë të një letre, të publikuar ekskluzivisht nga Shqiptarja.com, kompania çeke, që ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në territorin e Republikës së Shqipërisë, kishte deklaruar se nga fillimi i muajit prill nuk do të ishte më në gjendje të realizonte import të energjisë elektrike. Kjo, jo se nuk kishte kontraktorë të gatshëm për të shitur, por se nuk kishte më mjete financiare për ta paguar energjinë e blerë.

Qeveria, e gjendur në një situatë tepër të vështirë financiare, me të ardhura më të ulta se më parë, kur duhet të ulë edhe deficitin e madh buxhetor, nuk mund t'i japë më financim KESH-it, si deri tani. KESH-i vetë, në kushtet e thatësirës, ka një rënie të jashtëzakonshme të prodhimit, në rreth 4-5 milionë kilovatorë në ditë, me agregatët e Fierzët të stakuar, ndërkohë që ka mbi 100 milionë euro borxhe për të shlyer.Zgjidhja, në këtë rast, mendohet të kalojë në kurriz të konsumatorëve, të cilët do të duhet të paguajnë fatura edhe më të kripura se sa deri tani.

Zoti Ramadani, si kryetar i Entit Rregullator të Energjisë, ju duhet të keni marrë këto ditë një letër nga ana e kompanisë CEZ Shpërndarje, ku ajo ankohej ndaj institucionit tuaj për shkelje të marrëveshjeje rregullatore, në atë pikë, sa tani nuk është në gjendje të paguajë për të blerë më energji nga importi. Si qendron puna?
Po, është e vërtetë, këtë letër e kam marrë dhe ajo u adresohej edhe kryeministrit dhe ministrave të Ekonomisë dhe Financave. Me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike kemi patur vazhdimisht këmbime dokumentacioni dypalësh, për problemet që lidhen me detyrën tonë, rregullimin e sektorit të energjisë elektrike në vend. Natyrisht, të dy palët kanë edhe ankesa ndaj njera-tjetrës dhe u takon institucioneve të tjera të shprehen aty, ku ne nuk merremi vesh.

Kompania lëshon akuza shumë të rënda ndaj ERE-s, për disa veprime, që, sipas saj, kanë shkaktuar dëm financiar dhe humbje për të. I pranoni ato?
Vetëm për pikën e parë të këtyre akuzave nuk mund të shprehem ende, pasi problemi po analizohet. Fjala është për borxhin e keq. Sipas CEZ-it, ne nuk ja kemi njohur këtë borxh dhe, për këtë, na ka hedhur në gjyq. Nuk mund të shprehem lidhur me vërtetësinë e kësaj akuze, ndërkohë që auditi ynë po kryen analizën e këtij borxhi. Fakt është që ne kemi njohur borxhin, por "sherri" është për shifrën e tij. CEZ-i pretendon se ai është shumë më i madh dhe kërkon që ky t'i zbritet nga shteti në forma të ndryshme.

Po për akuzat e tjera?
Asnjë nga ato nuk qendrojnë. CEZ ngre problemin e matësve të rinj elektrikë, që janë faturuar me humbje për të. Në fakt nuk është kështu. METE në tremujorin e fundit të vitit të kaluar i vuri një gjobë kësaj kompanie prej 750 mijë eurosh, për fajet e saj.

Po, a jeni gati të negocioni lidhur me tarifa të reja? Ju, në fakt, i keni ngurtësuar ato në fund të vitit 2011 për tre vjet me rradhë: 2012, 2013 dhe 2014. CEZ thotë se tregu botëror e rajonal i energjisë ofron shifra më të larta, ndërkohë që ju lejuat edhe rritjen e tarifës që CEZ duhet t'i paguajë KESH-it...
Ne jemi gati ta rishikojmë këtë vendim mbi tarifat. Por kjo, vetëm në rast se qeveria e inicion një proces me anë të një kërkese.

Po lidhur me performancën e kompanisë dhe humbjet e saj, çfarë mund të thoni?
Në raportin e ERE-s për vitin e kaluar, që do ta paraqes në Kuvend, thuhet se CEZ Shpërndarje nuk ka i ulur humbjet sipas marrëveshjes fillestare. "Niveli i humbjeve 30.9 për qind, të raportuara nga CEZ Shpërndarje, çon në konkluzionin se kompania nuk ka realizuar targetin e humbjeve. Nisur nga llogaritjet e ERE-s për këtë tregues, duke marrë në konsideratë edhe humbjet e paraqitura nga kompania si dëm ekonomik dhe energji e pafaturuar, situata paraqitet edhe më pesimiste, me nivelin e humbjeve në masën 37.58 për qind".

Si paraqitet gjendja e ankesave të konsumatorëve tek ju ndaj CEZ-it?
Gjatë vitit 2011 janë trajtuar rreth 1.200 ankesa, në krahasim me 350 të tilla, që ishin në vitin 2010. Problematikat e vërejtura nga analizimi i ankesave u referohen mbifaturimit, mosrespektimit të afatit të leximit të aparateve matës apo gabimeve dhe vonesave në hedhjen e të dhënave që rrjedhin nga sistemi elektronik i faturimit. Ankesat janë trajtuar nga ERE dhe janë dhënë udhëzimet përkatëse, duke caktuar afate për zgjidhjen e tyre. Pas dhënies së udhëzimeve, për pjesën më të madhe të ankesave është pranuar gabimi dhe është bërë sistemimi përfundimtar i gjendjes reale të leximit të matësit. Sipas kompanisë CEZ, këto probleme janë shkaktuar nga instalimi i sistemit të faturimit.
(Intervista u botua ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/am/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre