Tarifat e ujit, ERRU ndryshon metodologjinë, hap rrugë për ndryshimin e çmimit sipas kostove

Tarifat e ujit, ERRU ndryshon metodologjinë, hap rrugë për ndryshimin e çmimit sipas kostove

Foto ilustruese

Enti Rregullator i Ujit ka vendosur të ndryshoje metodologjinë që përdor për të përcaktuar tarifat që aplikojnë ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve për furnizimin me ujë.

Përmes një vendimi të fundit të marsit ERRU vlerëson se janë të paktën tetë arsye që e bëjnë të nevojshme rishikimin e metodologjisë duke nisur nga mungesa e dokumentacionit të nevojshëm, mbivendosja e të tjerave si dhe mungesa e planeve 5 vjeçare të investimit që e bën të vështirë parashikimin e ecurisë së shoqërive.

“Mungesa e përgatitjes dhe paraqitjes së planeve të biznesit 5 vjeçar vështirëson parashikimin për ecurinë e shoqërive, investimet e nevojshme që duhet të kryejnë ato dhe prioritetet përkatëse për përmirësimin e shërbimit, të cilat ndikojnë në tarifat e shërbimit. Dokumentacioni aktual që duhet paraqitur së bashku me aplikimin për ndryshim tarife ka nevojë për përmirësime e plotësime”, thuhet në vendimin e ERRU.

Nga ana tjetër mosparaqitja e aplikimit për ndryshimin e tarifave me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe plotësimi i tij më vonë duke e tejzgjatur procedurën dhe vendimmarrjen shtron nevojën që të hiqet afati, data 30 qershor i vitit aktual dhe aplikimi të jetë i lirë për t’u bërë në çdo moment të vitit me kushtin që dokumentacioni ligjor, teknik dhe ekonomik të jetë i plotë.

Çështja e mbulimit të kostove dhe operimit është një tjetër arsye që ka detyruar ERRU të rishikojë metodologjinë për tarifa. “Duke u nisur nga fakti që pjesa më e madhe e shoqërive janë shumë të dobëta financiarisht, mbulojnë kostot O&M në nivele të ulëta, por nga ana tjetër ka shoqëri që kanë një performancë menaxheriale dhe operative shumë të mirë, të cilat aplikojnë për ndryshimin e tarifave me qëllim akumulimin e të ardhurave për shlyerjen e kredive dhe më tej për të bërë investime në vlera të konsiderueshme, lind nevoja për rishikimin e metodologjisë duke i kategorizuar shoqëritë sipas mbulimit të kostove”, thuhet në vendim.

Reforma territoriale sipas Entit duhet të reflektohet tashmë edhe tek metodologjia që përdoret për përcaktimin e tarifave duke pasur parasysh një seri aspektesh. “Zbatimi i reformës territoriale që presupozoi edhe riorganizimin e shoqërive UK, bën të domosdoshme ndryshime dhe përshtatje të dokumentacionit shoqërues të aplikimit, kjo kryesisht në dokumentet teknike dhe ekonomike”.

Enti Rregullator i Ujit ka paralajmëruar një rritje çmimesh edhe në raportin vjetor të vitit 2017, ku vlerëson se ka ende hapësira për të rritur tarifat që lidhen sidomos me pjesën e shërbimeve. Në analizën e saj, ERRU konfirmon se situata mbetet problematike me një humbje në rrjet prej 67% të ujit dhe ku lidhjet e jashtëligjshme zënë një pjesë të konsiderueshme, të paktën 20% të totalit.

“Nga përshkrimi i gjendjes së sektorit më sipër vihet re relativisht një përqindje e lartë e mbledhjes së faturave, ndërkohë që përgjithësisht, sektori është në gjendje jo të mirë financiare. Kjo tregon që krahas problemit të lidhjeve të paligjshme, faktor tjetër kryesor për gjendjen e dobët financiare janë edhe tarifat e ulëta të shërbimeve, që kanë mjaft hapësirë për rritjen e tyre. Këtë fakt ERRU e ka një ndër konsideratat kryesore gjatë analizës, vlerësimit dhe miratimit të tarifave që propozojnë shoqëritë UK”, – thuhet në raport.

Të gjithë këtë, ERRU e argumenton me mundësinë e përballueshmërisë që është kriteri që përdor ky institucion për mundësinë që ka një familje për pagesën e faturës së shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve. Niveli që përdoret në këtë rast është 5% e të ardhurave mesatare për familje. “INSTAT vlerëson se të ardhurat mujore mesatare të përgjithshme të një familjeje janë rreth 70,000 lekë/muaj, që i korrespondon një niveli të përballueshmërisë së tarifave prej rreth 300 lekë/m³. Tarifat aktuale të shërbimeve UK janë ende mjaft më të ulëta se kjo vlerë”, – thuhet në raportin e ERRU./ Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Të shtënat me armë dje në lagjen 15, arrestohen dy persona! Në kërkim një tjetër

Durrës/ Të shtënat me armë dje në lagjen 15, arrestohen dy persona! Në kërkim një tjetër