TIRANE - Partia Socialiste akuzoi sot Kryeministrin Berisha se me heqjen e tatim-fitimit nga rrogat nën 30 mijë lekë, po vazhdon të kopjojë keq programin e Partisë Socialiste, njësoj siç bëri me heqjen e TVSH-së për makineritë e importuara me vlerë mbi 500 mijë Euro. Në një prononcim nga selia rozë, Milena Harito, e grupit të Punës për Programin në PS, e quajti lëvizjen e njoftuar dje nga Kryeministri një arnim ndaj rrënimit që solli taksa e tij e sheshtë.

“Kjo copëz e programit tonë për taksimin e ndershëm që kryeministri ka njoftuar se do ta përdorë për të arnuar sistemin e tij rrënues të taksës së sheshtë, merr një rëndësi të posaçme në debatin për taksat. Dhe jo sepse këtë debat qeveria e ka të humbur, pasi programi ynë i ri i taksimit ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, por sepse humbjen e këtij debati tanimë e ka pranuar vetë kryeministri, duke futur elementin e parë të progresivitetit në sistemin tërësisht të pandershëm të taksës së sheshtë. Kështu e gjithë propaganda banale e kreut të qeverisë për gjoja taksën marksiste është diskredituar dje nga vetë kryepropaganduesi.

Ne sigurisht do ta votojmë këtë copëz të programit tonë për një Rilindje Shqiptare”, deklaroi Harito.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)