Administrata tatimore ka ushtruar kontrolle në 9 subjekte që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare.
Përmes një njoftimi, bëhet e ditur se janë evidentuar punonjës të padeklaruar, paga jo reale, mungesë faturimi dhe evazion tatimor në shitjen e apartamenteve.
Tatimet i bëjnë thirrje këtyre agjencive që të deklarojnë pagat reale, teksa aksioni ndaj informalitetit do të vijojë.
“Në zbatim të Planit Operacional në sektorin e Ndërtimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren, ka ushtruar kontrolle në 9 subjekte, që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare. Kontrollet u fokusuan në verifikimin e deklarimit të pagave reale të punonjësve, regjistrimin e tyre në organin tatimor, realizimin e shitjeve, lëshimin e faturave të fiskalizuara, si dhe kryerjen e verifikimeve të tjera të nevojshme gjatë procesit të kontrollit. Kontrollet evidentuan shkelje të rënda: Punonjës të padeklaruar, dokumentacion jotatimor, mungesë transparence në çmime dhe mosrespektim të detyrimeve ligjore për faturimin dhe fiskalizimin e shitjeve.
Bazuar në provat e mbledhura, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore sekuestruan edhe njësi kompjuterike, me qëllim vijimin e hetimit të thelluar, dokumentimin e mëtejshëm të shkeljeve tatimore dhe referimin në organet përkatëse të drejtësisë. Nga informacioni i marrë në njësitë kompjuterike rezulton se ka evazion tatimor në lidhje me çmimet e shitjeve të apartamenteve. Administrata Tatimore bën me dije se aksioni i sapo nisur nuk është i përkohshëm. Ai do të vijojë me seriozitet dhe vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesat e ardhshme, duke dëmtuar pensionet e punonjësve, konkurrencën e ndershme dhe interesin publik. Ftojmë të gjithë tatimpaguesit në fushën e ndërtimit të deklarojnë menjëherë pagat reale, për të shmangur masat administrative dhe penale, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, për veprën e fshehjes së të ardhurave.”, thuhet në njoftim.
Komente









Airbnb dhe apartamentet me qera ditore duhet te jete ne fokusin e Tatimeve jo vetem per evazionin gjigand por edhe per shkaterimin e tregut me cmimet te pa perballueshme per nje familje modeste ne shqiperi
PërgjigjuSi në çdo sektorë të ekonomisë edhe tek agjensitë imobilare bëjnë evazion fiskal.I paguajnë punonjsit me kash,nuk u paguajnë sigurimet shoqërore etj.Kjo ndodh sepse tatimet dhe organizmat e tjerë shtetëror nuk kryejnë detyrën ose korruptohen prej këtyre agjensive.Për përgjegjësit duhet të ketë penalitete të rënda si shkelës të ligjit.Gjithandej korrupsioni është përhapur si metastazat e kancerit.Ëdhtë një sëmundje e pashërueshme korrupsioni në vëndin tonë.
Përgjigju