Drejtoria e Hetimit Tatimor në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimet në Terren ka vijuar kontrollet në Vlorë dhe Sarandë, në vijim të aksionit për verifikimin e pagave të punonjësve në sektorin e ndërtimit, por edhe kontratave të shitjes së apartamenteve nga agjencitë imobliare.

Nga aksioni në këto dy qytete, janë identifikuar agjenci imobiliare dhe kompani ndërtimi të regjistruara, të cilat operojnë me një nipt të vetëm.

Evazioni fiskal ka qenë në shuma të konsiderueshme prej këtyre subjekteve.

Shkelje të tjera janë vërejtur me mosdeklarimin e punonjësve të ndërtimit në sistemin tatimor.

Gjithashtu, janë sekuestruar njësi kompjuterike me të dhëna kompjuterike, të cilat i janë nënshtruar analizave të specializuara.

Nga 16 janari, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur kontrollet në terren.

Kontrollet do të përfshijnë subkektet që nuk kanë respektuar pagat dysheme të caktuara nga tatimet prej 1 dhjetorit 2025. Për shkak të deklarimit të pagave më të ulëta sesa realisht janë tatimet muajin e kaluar publikuan listën e pagave për sektorin e ndërtimit, në varësi të çdo profesioni.

Me përjashtim të sanitarëve që do të kenë si dysheme pagën 60 mijë lekë, të gjithë të punësuarave e tjerë nuk duhet tu deklarohet rrogë nën 80 mijë lekë. Me këtë listë të tatimeve pagat dysheme në ndërtim e rritin automatikisht rrogën mesatare të sektorit nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë. Çdo biznes që nuk e respekton këtë vendim të tatimeve, do të konsiderohet me risk për nëndeklarim dhe do të jetë subjekt kontrollesh.

Hetimet e tatimeve në këtë sektor janë shtrirë edhe tek shitja e apartamenteve, përfshirë edhe parapagimet nëse shoqërohen me fatura të rregullta transaksioni, tek shoqërimi i mallrave me faturë apo deklarimi i saktë të kontratave të qiramarrjes së ambienteve.