Sipas ligjit, një subjekt tatimpagues, duke justifikuar paaftësinë e tij likuiduese të përkohshme financiare, mund të paguajë me këste një detyrim tatimor të papaguar.

Marrëveshja me këste nuk mund të zgjatet përtej fundit të vitit, që pason vitin, në të cilin është lidhur ajo. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Hapat që duhen ndjekur për të nënshkruar një marrëveshje me këste janë si më poshtë. Hapi i parë: Kërkesë me shkrim drejtuar drejtorisë rajonale tatimore, nën juridiksionin e të cilës është regjistruar.

Duhet të shpjegohen rrethanat dhe arsyet pse kërkohet të lidhet një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore.

Hapi i dytë: Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 10 ditëve njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet. Hapi i tretë: Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara.

Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com