Taulant Balla u betua sot (15 korrik)  si ministri i ri i Brendshëm. Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë, ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e deputetë të Partisë Socialiste. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, leximit të dekretit të emërimit dhe formulës së betimit, ministri Balla u betua mbi Kushtetutë para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Presidenti Begaj i dorëzoi dekretin e emërimit Ministrit të Brendshëm, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe shumë të rëndësishme.

Menjëherë pas betimit, Balla u drejtua tek ministria e Brendshme mori detyrën nga Bledi Çuçi. Në fjalën e tij, Çuçi shprehu falënderime për stafin e Ministrisë Brendshme dhe vuri në dukje se arritjet në disa prej prioriteteve të punës së institucionit, janë rezultat i kontributeve të të gjithëve.

Ai shprehu vlerësimet më të larta për Ministrin e ri Balla dhe njëherësh i uroi atij suksese në detyrën e re, duke i dorëzuar formalisht edhe një dosje “exit-memo” me arritjet, prioritetet dhe një “road-map” për objektivat e ardhshme.

Ndërsa Taulant Balla në fjalën e tij të parë si Ministër i Brendshëm, falënderoi Çuçin për punën e bërë dhe shprehu se në fillim të javës së ardhshme do të bëjë të njohura për stafin dhe publikun, prioritetet që ai ka vendosur në detyrën e sapomarrë.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaroi se do të bëjë gjithçka të mos zhgënjejë askënd në kryerjen me sukses të detyrës së Ministrit të Brendshëm në Qeverinë e Kryeministrit Edi Rama. Gjithashtu Balla shkruante se do ti shërbente me përulje çdo qytetari të Shqipërisë.

Pak orë pasi u ul në karrigen e  ministrit të Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë porosinë e parë për vartësit. Teksa uron operacionin e bllokimit të 20 mjeteve lundruese pa dokumentacion Balla kërkon me prioritet sigurinë e pushuesve.

Kujtojmë se Kuvendi miratoi më 13 korrik, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim emërimin e Taulant Ballës në postin që për 2 vite e gjysmë Bledi Çuçi, i cili u shkarkua më 7 korrik nga Kryeministri Edi Rama, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Fushë Krujë dhe Borizanë.

Ngjarja e rëndë e ndodhur më 6 korrik 2023 tronditi opinionin publik, pasi djali dhe vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja dhe pjesëtarë të tjerë të fisit dhunuan barbarisht  me shkopinj gome dhe bejsbolli kushërinjtë e fisit Maja për shkak se u ankuan ndaj gurores në Borizanë që po u shkatërronte shtëpitë. Në kërkim u shpallën djali dhe dy vëllezërit e deputetit Rrahman Rraja i cili më pas dha dorëheqjen.

Këtu Video e dhunës barbare/ ‘Vrite, vrite!’ U ankuan për guroren në Krujë, fisi i deputetit Rrahman Rraja dhunon barbarisht 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:34
Mori detyrën si Ministër i Brendshëm, porosia e parë e Ballës: Prioritet siguria e pushuesve

 

Pak orë pasi u ul në karrigen e  ministrit të Brendshëm, Taulant Balla ka dhënë porosinë e parë për vartësit. Teksa uron operacionin e bllokimit të 20 mjeteve lundruese pa dokumentacion Balla kërkon me prioritet sigurinë e pushuesve.

“Përgëzime Njësisë Policore Detare. Ishte domosdoshmëri krijimi I kësaj Njësie. Duhet të garantojmë pushime të qeta dhe të sigurta për çdo pushuesi”, shkruan Balla.

Policia Kufitare dhe nga Njësia Policore Detare vijojnë verifikimet në të gjithë vijën bregdetare ndaj mjeteve lundruese për parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.

Ora 20:03
Bledi Çuçi i dorëzon dosjet Ballës: Funksionet publike janë të përkohshme! Kam bindjen se do t’i çoja para punët e këtij institucioni

Bledi Çuçi i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën ministrit të ri të Brendshëm Taulant Balla. Në një postim në rrjetet sociale, Çuçi shkruan se funksionet publike janë të përkohshme. Çuçi thotë se i ka dorëzuar Ballës një Exit Memo me prioritetet e 2023 të Ministrisë së Brendshme, me bindjen se bashkë me ekipin e tij ai do të çojë përpara punët në këtë institucion kaq shumë të rëndësishëm.

‘Funksionet publike janë të përkohshme. Çfarë mbetet e ka vlerë të pashlyeshme është puna dhe shërbimi ndaj qytetarëve që gjithmonë presin e meritojnë më shumë nga ne. I dorëzova sot Taulantit një Exit Memo me prioritetet e 2023 të Ministrisë së Brendshme, me bindjen se bashkë me ekipin e tij ai do të çojë përpara punët në këtë institucion kaq shumë të rëndësishëm!’- shkruan Çuçi.

 

Ora 14:12
Ceremonia në Ministrinë e Brendshme, Bledi Çuçi i kalon stafetën Taulant Ballës

 

Pas betimit në Presidencë, Ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla, ka hyrë për herë të parë në ambientet e këtij institucioni, i pritur nga ish-ministri Çuçi, zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme, titullarët e institucioneve të varësisë e drejtues të tjerë.

Në fjalën e tij, Çuçi shprehu falënderime për stafin e Ministrisë Brendshme dhe vuri në dukje se arritjet në disa prej prioriteteve të punës së institucionit, janë rezultat i kontributeve të të gjithëve. Ai shprehu vlerësimet më të larta për Ministrin e ri Balla dhe njëherësh i uroi atij suksese në detyrën e re, duke i dorëzuar formalisht edhe një dosje “exit-memo” me arritjet, prioritetet dhe një “road-map” për objektivat e ardhshme.

Taulant Balla në fjalën e tij të parë si Ministër i Brendshëm, falënderoi Çuçin për punën e bërë dhe shprehu se në fillim të javës së ardhshme do të bëjë të njohura për stafin dhe publikun, prioritetet që ai ka vendosur në detyrën e sapomarrë.