Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka rrëfyer momentet e sulmit ajror amerikano-izraelit ku u vra lideri suprem Ali Khamenei. Në një intervistë për gazetarin iranian Javad Mogouyi, ai tha se u nxor nga rrënojat e kompleksit ku ndodheshin drejtuesit e lartë të vendit dhe se që prej asaj dite ka lëvizur vazhdimisht me makinë në Teheran për arsye sigurie.
Araghchi konfirmoi se SHBA-ja dhe Izraeli kishin informacione të sakta për vendndodhjen e Khameneit dhe zyrtarëve të tjerë, gjë që, sipas tij, bëri të mundur goditjen e drejtuesve të lartë iranianë.
Ai tha se ende nuk është takuar me liderin e ri të Iranit, Mojtaba Khamenei, por shtoi se emërimi i tij dërgon “një mesazh shumë të rëndësishëm për botën se nuk do të ketë ndryshim në politikat dhe idealet e regjimit”.
Sipas Araghchit, sulmet nisën një ditë pasi Irani kishte paraqitur një propozim për programin bërthamor gjatë raundit të fundit të bisedimeve në Gjenevë. Ai tha se ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, e kishte njoftuar se qëndrimi në Uashington ishte bërë papritur më luftarak.
Ministri iranian tregoi se ndodhej në një takim me zëvendësshefin e kabinetit të Khameneit, Ali Asghar Hijazi, kur godina u godit nga tre shpërthime të njëpasnjëshme.
“Seksioni ku ndodhej zyra e Hijazit u godit drejtpërdrejt dhe ana e majtë e ndërtesës u shkatërrua plotësisht”, tha ai.
Sipas Araghchit, sekretarja e Hijazit humbi jetën menjëherë, ndërsa ai dhe vetë Hijazi arritën të shpëtonin.
“Tavani, muret dhe gjithçka u shemb mbi ne. I kapa dorën Hijazit dhe dolëm mes trarëve e copave të drurit, ndërsa dëgjonim thirrje për ndihmë. Uji rridhte nga tavani. Gjithçka ishte shkatërruar”, rrëfeu ai.
Araghchi tha se makina e tij zyrtare ishte goditur dhe se një kalimtar e dërgoi në Ministrinë e Jashtme. Për tre ditë, sipas tij, drejtuesit iranianë nuk kishin informacion se kush kishte mbijetuar dhe kush kishte humbur jetën.
Ai deklaroi se Irani kishte përgatitur plane paraprake në rast se lideri suprem do të ishte objektiv i një sulmi, përfshirë edhe mbylljen e ngushticës së Hormuzit. Skenari, sipas tij, kishte emrin e koduar “Kodi 110”.
Në intervistë, Araghchi tha gjithashtu se Irani kishte paralajmëruar vendet fqinje se çdo sulm ndaj vendit do të pasohej me kundërpërgjigje ndaj objektivave në rajon. Ai shtoi se Irani po përpiqet të shfrytëzojë dallimet mes SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa pretendoi se pas fushatës 12-ditore të bombardimeve në vitin 2025 vendi ka përmirësuar aftësitë raketore dhe ka ulur ndjeshëm kohën e rikthimit në funksion të bazave të goditura.
Komente









