Pas dhjetëra milionë eurove të sekuestruara në këto vitet e fundit, prokuroria e posaçme vijon ‘gjuetinë’ e pasurive të paligjshme të lidhura me organizatën kriminale të Çopjave të Elbasanit.
Prokuroria e Posaçme njoftoi këtë të enjte se me vendim të GJKKO të marrë që në 14 tetor, ka sekuestruar një biznes në fushën e shërbimeve taksi dhe hotelerisë dhe 25 makina, me vlerë totale rreth 77 milionë lekë. Gjithashtu është sekuestruar edhe një sipërfaqe toke bujqësore prej 2 mijë metrash katrorë në Sharrë, që dyshohet se i përkasin anëtarëve të këtij grupi.
Kompania “Check Company” dhe automjetet rezultojnë në pronësi të Franci Canajt, kunatit të Ervis Çelës, një prej anëtarëve kryesorë të trafikut të drogë në bashkëpunim me Çopjat. Canaj u arrestua në qershor të vitit 2025, nën dyshimin për përfshirje në plagosjen e një taksisti.
Në total, bëhet fjalë për 24 automjete të markës Volkswagen dhe një Toyota.
Ndërkohë, Albin Çelës, vëllait të Ervis Çelës, i është sekuestruar një tokë arë me sipërfaqe 2 mijë metra katrorë në zonën e Sharrës.
Këtyre sekuestrimeve u shtohen dhjetëra pasuri të tjera të sekuestruara më herët në kuadër të hetimeve ndaj grupit të Çopjave, duke zgjeruar goditjen ndaj aseteve që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të tij. Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka trafikuar në Evropë 28 tonë kokainë në dy episode të ndryshme, nga të cilat 17 tonë janë sekuestruar nga autoritetet.
Prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Altin Dumani, e kanë konsideruar organizatën e Çopjave si ndër më të fuqishmet dhe që ndikon çmimin e kokainës në tregjet evropiane.
“Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga organizatat shqiptare më të fuqishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ajo kishte kapacitetin për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe për të menaxhuar sasi të mëdha të lëndës narkotike në periudha të shkurtra kohore. Fuqia financiare e lartë e kësaj organizate, strukturimi dhe organizimi i një niveli shumë të lartë si dhe aftësia për të rikuperuar humbjet që vinin nga sekuestrimet e dallojnë atë nga grupet e tjera kriminale të hetuara nga SPAK”, kanë deklaruar të dy prokurorët.
Goditja e parë ndaj grupit të Çopjave u dha në gusht të vitit 2024, kur nën sekuestro u vendosën mbi 42 (dyzet e dy) pasuri, midis të cilave 38 pasuri të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim 4 (katër) katësh dhe katër llogari bankare. Gjatë kontrolleve të ushtruara në atë kohë u sekuestrua dhe një sasi e madhe në cash, me një vlerë për mbi 1 milion euro.
Një vit më pas, Prokuroria e Posaçme realizoi një tjetër goditje. Të paktën 16 urdhër-arreste u lëshuan ndaj drejtuesve dhe anëtarëve të grupit, ndërsa një operacion u zhvillua në atë kohë në qytetet Elbasan, Lushnje, Durrës, Tiranë. Nga 16 masa sigurie, 14 masa ishin “arrest në burg” dhe 2 “detyrim paraqitje”.
Në Shqipëri u arrestuan Ervis Çela, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Mariglen Kamami, Elidon Çela dhe Riza Çela. Ndërsa Franc Çopja alias Franc Gegeli, ishte tashmë i arrestuar në Belgjikë. Detyrim paraqitje u la për Ditjon Pepën nga Elbasani dhe Kujtim Gjylan nga Lushnja, shoferët që kishin transportuar paratë për t’i sjellë në Shqipëri.
Ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim, mes tyre Fadil alias Julian Balla, Miklovan Mullai, Denis Daja, e Vilson Pepa. Ky i fundit, do të arrestohej dhe esktradohej në shtator nga Republika Domenikane.
Gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente të tjera u sekuestruan në atë kohë edhe shuma parash, mbi 111.800 euro cash, 4 mijë dollarë dhe 880 mijë lekë. Ndërsa me një vendim të gjykatës u vendos sekuestro preventive për gjithsej 14 pasuri të llojeve të ndryshme me vlera disa miliona eurosh, duke përfshirë resorte, vila, apartamente, trualle, automjete dhe kuota në shoqëri, në emër të personave nën hetim. Dallojnë dy prona të sekuestruara, si “Ajman PARK” Resort ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare, Xhafzotaj, Durrës, si dhe një vilë dy katëshe tip “ELYSIAN”, në bregdetin e Dhërmiut me vlerë afërsisht 1.000.000 euro. Të dyja këto prona rezultonin në emër të Julian alias Hysni Ballës, presidenti i klubit të Erzenit, ndaj të cilit kishte masë arresti me burg.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Franci Canaj është pronari i ’Check Company’, kompanisë së sekuestruar tashmë nga Prokuroria e Posaçme në vijimësi të hetimeve për dosjen e grupit të Çopjave të Elbasanit.
Nën sekuestro janë vendosur edhe 25 makina, prej të cilave 24 automjete Volkswagen (modeli Ioniq5 dhe ID3, ID4 ) dhe 1 Toyota (modeli bZ3).
Franci Canaj është kunati i Ervis Çelës dhe emër i njohur për policinë. Në qershor 2025, ai u vu në pranga në Tiranë për plagosjen e rëndë të taksistit Gerald Hoxha.
Më 9 prill të vitit të shkuar, mes tyre kishte ndodhur një sherr për një vend parkimi. Ndërsa në vitin 2016, Franci Canaj ka qenë i arrestuar në Itali për prostitucion.
Ai, bashkë me 3 të tjerë, shfrytëzonin 10 vajza në Torino si prostituta. Ato rriheshin e poshtëroheshin kur nuk arrinin të ardhurat ditore që u ishin vendosur si kufi. Vajza jetonin në kushte të rënda dhe dhunoheshin si fizikisht e psikologjikisht.
Paralelisht, mbillnin edhe kanabis me paratë që përfitonin nga shfrytëzimi i vajzave. Asokohe, policia italiane sekuestroi 4 mijë bimë me vlerë disa milionë euro.









Komente
Komento