Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për 2016 vlerësohen të jenë rreth 283 miliardë lekë


TIRANE, 19 Nëntor/ATSH/-Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për vitin 2016 vlerësohen të jenë në shumën rreth 283 miliarde leke, rreth 20,8 miliarde lekë më shumë se parashikimi i vitit 2015 ose rreth 8% më shumë. Në ndryshim nga vitet e kaluara, parashikimi i të ardhurave nuk është bazuar në metodën historike të kuadrit makroekonomik për çdo zë.
Bazuar edhe në rekomandimet e misionit të FMN në qershor të këtij viti, nga analiza e performancës së të ardhurave për vitin 2015, është ndjekur një përqasje më teknike e parashikimit të të ardhurave për të analizuar çdo produkt, sidomos tek të ardhurat doganore. Sipas relacionit të p/buxhetit, burimet kryesore të të ardhurave shtesë për vitin 2016 për zërin "Të ardhura nga tatimet dhe doganat", parashikohet të jenë: mirëadministrimi; politikat fiskale 2016; kuadri makro; si dhe lufta ndaj informalitetit.
Për vitin 2015, të ardhurat nga "Tatimet dhe Doganat" priten të realizohen në masën 262,1 miliarde lekë ose 96.2% nga planifikimi. Pjesën kryesore në këtë mosrealizim e kanë të ardhurat nga administrata doganore, të cilat priten të realizojnë rreth 147 miliard lekë ose rreth 9.2 miliarde lekë më pak se planifikimi. Të ardhurat nga administrata tatimore priten në realizohen rreth 115 miliarde lekë (pa kontributet) ose rreth minus 1 miliard lekë më pak nga planifikimi. Të ardhurat nga administrata tatimore së bashku me kontributet priten të realizohen në shumën 182 miliarde lekë ose me rreth 341 milione lekë mbi parashikimin. /a.gjonaj/ /a.ke/
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon