Sezoni 2018-19 nuk ka qenë i lehtë për Granit Xhakën te Arsenali, me lojtarin që pati një "luftë të ftohtë" me klubin dhe tifozët, me këta të fundit që e kishin në shënjestër shqiptarin duke e sharë në kor.
Me shiritin e kapitenit në krah, Xhaka ishte lideri i "Topçinjve" asokohe dhe një episod bëri që emri i tij të përflitej për largim. Në një bisedë të fundit, lojtari që pak muaj më parë la Arsenalin dhe u bashkua me Bayer Leverkusen për 25 milionë euro, ka treguar prapaskenat dhe vendimin e tij për të qëndruar në 2019 sërish me Arsenalin.
Sipas tij, biseda me trajnerin Mikel Arteta ishte deçizive dhe lojtari për herë të parë nuk dëgjoi familjen, por qëndroi te Arsenali dhe shkëlqeu në gjashtë vitet e tij në "Emirates".
Duke folur për The Athletic, ai tha: "Arsenali tregoi pak respekt edhe pse unë isha kapiten. Ishte e qartë se ata donin të më hiqnin qafe, përveç një personi; Artetas".
Xhaka zbuloi gjithashtu bisedën që ka pasur me Mikel Artetën në vitin 2019 kur fillimisht kishte vendosur të largohej nga klubi. Tifozët e Arsenalit u kthyen kundër mesfushorit gjatë një barazimi 2-2 me Crystal Palace, teksa fërshëllyen kapitenin e tyre. Me Xhakën në prag të lamtumirës, Arteta e bindi të qëndronte.
"Kur e takova për herë të parë, çantat e mia ishin të mbushura tashmë dhe isha gati të merrja avionin. Me zemër dhe shpirt, tashmë isha larguar nga klubi. Unë i thashë: ‘Zgjidhja është që unë të iki’. Mikel më tha se donte që unë të qëndroja. Por nuk isha i sigurt.
Mbaj mend që fola me babanë tim në atë kohë. “Ai më tha, ‘Ikim’. Për herë të parë, ai më tha të ikja. Ai tha se nuk kishte të ardhme për mua tek Arsenal.
Nuk mund ta imagjinoja veten duke luajtur përsëri për Arsenalin. I thashë atij (Artetës), ‘Unë thjesht dua të jem diku ku tifozët të mos më shajnë’. “Por ai ishte kaq bindës. Për herë të parë në jetën time, mora një vendim pa folur më parë me familjen time. U ngrita dhe thashë, 'Ok, do të qëndroj'. Ne u përqafuam dhe që nga ajo ditë u ktheva në stërvitje dhe më dukej sikur asgjë nuk kishte ndodhur", tha Xhaka.