Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas videos së publikuar nga gazetari Flamur Vezaj, ku dallohen brenda një qelie personazhe të njohur të botës së krimit, të konsideruar edhe me rrezikshmëri të lartë, si ish-kreu i bandës së Durrësit Lul Berisha, Fehmi Mziu, Islam Kasa alias Mitralozi, të cilët po festojnë në qeli me telefon, alkool e lëndë narkotike.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se një pjesë e personave të shfaqur në video janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.

Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lajmëron se menjëherë pas qarkullimit të videos kanë nisur procedurat për hetim, pjesë e të cilit do të jetë i gjithë zinxhiri komandues i Burgut të Durrësit.

Më tej, Drejtoria e Burgjeve bën të ditur se gjatë kësaj periudhe në disa Institucione të Vuajtjes së dënimit janë ushtruar kontrolle, ku sipas tyre janë gjetur edhe celularë.

Deklaratë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:

Në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Flamur Vezaj, sqarojmë si vijon:

Së pari, falënderojmë gazetarin për informacionin e bërë publik dhe inkurajojmë çdo qytetar apo gazetar të denoncojë çdo akt të paligjshëm apo shkelje që cenon sigurinë në institucionet penitenciare.

Së dyti, sqarojmë se personat e shfaqur në video janë identifikuar nga strukturat tona dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.

Menjëherë pas qarkullimit të videos është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe kanë nisur procedurat për hetim të plotë. Hetimi përfshin të gjithë personat e identifikuar në video, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel. Paralelisht, strukturat e IEVP Durrës vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin e plotë të përgjegjësive dhe fillimin e çështjeve penale për personat e përfshirë.

Situata aktuale nuk është ajo që paraqitet në video. Kontrollet janë intensifikuar dhe vijojnë në mënyrë të pandërprerë. Në vijim të kontrolleve të ushtruara gjatë muajit prill, gjatë ditës së sotme janë zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të imtësishme në disa institucione.

Në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar 3 telefona celularë. Poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk toleron asnjë shkelje. Çdo rast trajtohet me masa konkrete, përgjegjësi individuale dhe ndjekje penale.

Mesazhi është i qartë: siguria nuk negociohet. Çdo shkelje do të goditet pa kompromis dhe kontrolli në institucionet penitenciare do të vijojë të forcohet çdo ditë.


Lajmi kryesor:

Me muzikë e alkool, të burgosurit festë brenda qelisë në burgun e Durrësit! Në krye Lul Berisha! Burgjet: Ngjarja para janarit, hetim zinxhirit komandues (VIDEO)