Të dëmtuar nga tërmeti, Veliaj i dorëzon çelësat e shtëpisë së re familjes Kasa në Bërzhitë, ‘Do të dalim faqebardhë nga rindërtimi’

Një ndër familjet “viktimë”, familja e Fatos Kasës në Bërzhitë  i tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar sot ka një shtëpi të re dhe të sigurt të pajisur me dokumentacionet përkatëse, për të festuar festat e fundvitit në ngrohtësinë e njeri tjetrit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte pranë familjes ditën e sotme për ti dorëzuar çelësat e shtëpisë duke thënë se është vetëm çështje kohe që të gjitha familjet e prekura nga tërmeti të sigurohen më një shtëpi të sigurt.

 “Kur vjen tërmeti dhe investimin e jetës na e merr fatkeqësia natyrore, të cilën s’e ka në dorë as shteti, as qeveria, jemi të gjithë të dobët. Por, çështja është a na bëhet qeveria dhe shteti shok e mik, për t’u ngritur prapë më të fortë. Sot themi po! Do të bëjmë edhe shtëpitë e tjera, do të sigurohemi që të dalim faqebardhë nga kjo histori”, tha Veliaj.

Ai bëri thirrje për mospolitizim të çështjes së rindërtimit dhe theksoi se kjo është një betejë ku të gjithë duhet të bëhen bashkë. “Shumë vetë mundohen ta politizojnë dhe ta bëjnë me sherr këtë punë. Kjo kohë është një betejë që do na bëjë të gjithëve bashkë. Shumë njerëz ndoshta, nuk e kuptojnë se nuk është vetëm punë llaç e tulla. Në disa raste ka dokumente pronësie, ka mbivendosje, shpronësime. Vetëm pasi janë zgjidhur këto fillon puna për llaç e tulla, themele e çati. Ndaj, shumë nga ata që i shkaktuan këto dëme me pronën duhet të heshtin sot”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se përkundër partive të zhurmshme që përpiqen të pengojnë procesin,  shumica e njerëzve sheh përpara. “Ne s’kemi luftë me njëri-tjetrin, ne kemi luftë me pandeminë. Prandaj, kryeministri nuk erdhi dot sot sepse është me një mision në Amerikë për të diskutuar me ata që e prodhojnë vaksinën, që të sigurohemi që jemi ndër të parët që e marrim. Ne jemi në luftë me pasojat e tërmetit, jo me njëri-tjetrin. Po të kuptojmë këtë, jemi realisht shqiptarë dhe patriotë, dhe patriotizmi më i madh sot është të ofrosh ndihmë dhe jo t’i nxjerrësh sytë njëri-tjetrit. Këtë duhet ta kuptojë edhe ajo minorancë e vogël, që vazhdon akoma me parti të lodhura, që as nuk dhanë një shtëpi, as nuk dhanë një pako ndihmash, por përkundrazi shtuan vilat dhe pasurinë në vitin e fatkeqësisë. S’kemi kohë për ta, s’kemi kohë për të humbur, duhet të ecim përpara”, tha Veliaj.

Fatos Kasa i shprehu mirënjohjen Bashkisë së Tiranës dhe u bëri thirrje familjeve të tjera të prekura nga tërmeti që të kenë besim tek qeveria. “Ju falenderoj edhe u bëj thirrje të gjithë atyre, të cilëve u janë prishur shtëpitë nga tërmeti, të kenë besim tek qeveria sepse do të ndërtohen shtëpitë, ashtu siç m’u ndërtua mua”, tha ai.

Bërzhita është kthyer në kantier ndërtimi për rindërtimin e banesave të tërmetit, ndërkohë që puna po vijon edhe në zona të tjera të kryeqytetit

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase