TIRANË- Tre persona kanë rënë në pranga nga Policia Kufitare në Rinas. 2 turq do të ekstradohen drejt Gjermanisë dhe Turqisë, ndërsa një shqiptar u kap pasi është dënuar me 5 vite burg për drogë.
Konkretisht në pranga ka rënë 38-vjeçari Burak Kara teksa futej në Shqipëri përmes Rinasit. Ai rezulton i dënuar nga Gjykata e Mesinit në Turqi në vitin 2022 për marrëdhënie seksuale me dhunë. Nga dënimi, 38-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet, 6 muaj e 21 ditë burgim.
Në pranga ra edhe 25-vjeçari Metehan Tutungu teksa po largohej nga Shqipëria përmes Rinasit. Ai është dënuar në vitin 2023, nga Gjykata e Aschaffenburg, Gjermani, me 6 vjet e 6 muaj burgim, për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Gjithashtu është vënë në pranga Orgen (Mariglen) Bushpreni, 40 vjeç, banues në Laç. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës e ka dënuar me 5 vjet burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.