Rreziku nga përmbytjet duket se është larguar përfundimisht, ku jugu i vendit do të shpëtojë nga uji pasi tri ditësh përmbytjeje intensive. Tashmë, rreziku është zhvendosur në zonat veriore, aty ku kanë nisur reshjet e dëborës, duke sjellë problemet e para, siç ishte Thethi në Shkodër i bllokuar që prej ditës së sotme.

Nga llogaritjet e fundit hidrologjike të IGJEUM rezulton se do të ulet ndjeshëm rreziku nga përmbytja e lumenjve në të gjithë territorin. IGJEUM parashikon që prurjet e lumenjve do të kthehen në nivele normale për stinën dhe nuk janë të rrezikshme për përmbytje.

buletini

PARASHIKIMI METEO: RESHJET

Sot pasdite (e hënë, dt.04) reshjet do të vazhdojnë, por në zona më të kufizuara. Intensiteti i tyre do të jetë i dobët në shumicën e rasteve, por në disa raste ato do të jenë intensive shoqëruar me shtrëngata, kryesisht në qarqet e Veriut dhe të Qendrës (me kohëzgjatje të shkurtër).

Reshjet do të jenë në formë dëbore në zonat malore, kryesisht në veri dhe lindje të vendit. Nesër (e martë, dt.05) nuk priten reshje (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).

TEMPERATURAT
Nesër (e martë, dt.05) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 4 °C / 11 °C

në vendet e ulta: 2 °C / 9 °C

në vendet malore: -6 °C / 5 °C.

ERA
Sot pasdite (e hënë, dt.04) do të fryjë e lehtë. Nesër (e martë, dt.05) do të forcohet dhe në bregdet do të arrijë deri mesatare.

d.c./shqiptarja.com