Të dielën 334 mijë votues të pesë bashkive, janë thirrur të votojnë parakohe për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në Vlorë, Berat, Tepelenë, Berat dhe Mat. Kryekomisionieri Ilirjan Celibashi tha se KQZ-ja është gati nga ana teknike për procesin e datës 9 nëntor.

5 bashki të vendit do të zgjedhin të dielën kryetarët e rinj, por kjo shënohet si fushata më jo tipike, kur asnjëra prej palëve nuk po zhurmon edhe pse jemi në ditët e fundit të saj.

Kandidatët në Vlorë, Berat, Tepelenë, Cerrik  dhe Mat po e zhvillojnë fushatën e tyre pa protagonizëm politik, dhe as liderët e partive të mëdha, Rama e Berisha, nuk janë shfaqur në asnjë miting apo takim elektoral.

Por pavarësisht kësaj, të dielën janë thirrur të votojnë 334 mijë zgjedhës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve testoi pajisjet elektronike që do të përdoren për të identifikuar zgjedhësit.

“Nuk është konstatuar asnjë problematikë e çdo karakteri në lodhje me pajisjet dhe besoj në ditën e zgjedhjeve nuk do të kemi asnjë lloj problemi. Të gjitha qendrat e votimit janë të mbuluara me operator. Gjithashtu KQZ ka zhvilluar seancat e trajnimit me secilin prej këtyre operatorëve. Nga ana e përdorimit të pajisjeve elektronike të identifikimit, çdo gjë është ashtu siç ka qenë parashikuar”, tha kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi.

Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 600.

Në Vlorë kryebashkiaku Dredha u dorëhoq, në Mat, Tepelenë dhe Berat kryetarët u bënë deputetë, ndërsa në Cërrik i pari i bashkisë u bë ministër bujqësie.

TABELA

VOTUES SIPAS BASHKIVE
Bashkia            Votues
Vlorë                171 895
Berat                 82 161
Cërrik               38 724
Mat                    29 092
Tepelenë          12 667
Gjithsej           334,539

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:02
Kontrata 1.4 milion euro e Berishës me LaCivita, në 'sitën' e KQZ

1762365919_80001756805646x1739187964christopherlacivitasaliberisha897.jpeg

Chris LaCivita dhe Sali Berisha

Kontrata 1.4 milion euroshe e Sali Berishës me Chris LaCivita pritet të kalojë në sitën e audituesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të njëjtin fat do të kenë edhe deklarimet financiare të Partisë Socialiste dhe subjekteve të tjera garuese në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Është ende herët për të komentuar se sa e si kanë shpenzuar partitë politike në fushatë. Duhet analizë, ne do të bëjmë auditim në KQZ për të parë se si janë shpenzuar këto para dhe për më tepër edhe financimin e partive politike”, u shpreh kreu i KQZ, Ilirjan Ceibashi.

Për momentin Komisioneri Ilirjan Celibashi sytë i ka drejt zgjedhjeve të së dielës në 5 bashki pasi Gjykata Kushtetuese anuloi zgjedhjet e pjesshme në Tiranë duke lënë në detyrë Erion Veliajn.

“Nuk e di, askush nuk e di nëse dhe kur do të mbahen zgjedhjet në Tiranë. Di që më datën 9 nëntor do të mbahen zgjedhje në 5 bashki. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, ne edhe më parë kemi zbatuar vendimin dhe tani jemi të detyruar ta zbatojmë e njohim”, shtoi më tej ai.

Të dielën qytetarët e Vlorës, Tepelenës, Cërrikut, Matit dhe Beratit pritet t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. KQZ testoi pajisjet e identifikimit elektronik dhe është gati për procesin e pjesshëm vetëm në 5 bashki.