PRISHTINE, 1 Maj/ATSH/- Të dielën në Prizren do të votohet për Young Audience Award 2015 apo Çmimin nga Audienca e Re, e cila është një iniciativë nga Akademia Evropiane e Filmit.
Në një komunikatë për media nga DOKUFEST thuhet se tre filmat e nominuar MY SKINNY SISTER nga Sanna Lenken (Suedi/Gjermani), THE INVISIBLE BOY nga Gabriele Salvatores (Itali) dhe YOU'RE UGLY TOO nga Mark Noonan (Irlandë) do të shfaqen para publikut të moshës 12-14 vjeç në 25 qytete evropiane.
"Filmat e nominuar do të shfaqen në DokuKino ndërsa filmi fitues do të zgjidhet nga audienca e re, të cilët do të votojnë për filmin më të mirë dhe rezultatet do të shpallen në një video konferencë të drejtpërdrejt nga qyteti gjerman, Erfurt", thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës aktorja kosovare Arta Dobroshi, regjisorët Daniel Molloy dhe Kreshnik Berisha dhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, do t'i shikojnë filmat së bashku me të rinjtë dhe do t'i udhëzojnë ata në vlerësimin e filmave.
DokuFest është njëri ndër partnerët e këtij edicioni të EFA Young Awards për të dytin vit me rradhë. Ky bashkëpunim nisi në vitin 2013, kur drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari, u bë pjesëtar i Akademisë Evropiane të Filmit. Si pjesëtar, Nurkollari prezantoj programin e filmave SHORT MATTERS! në Dokufest, votoj për filma për Çmimet Evropiane të Filmit dhe filloj bashkëpunimin për prezantimin e EFA Young Awards për herë të parë në Prizren dhe në Kosovë./kosovapress/ /a.g/







