Të drejtat televizive, biletat, fondet dhe konflikt interesi/ Konkurrenca kap FSHF-në me një mori shkeljesh të rënda

Të drejtat televizive, biletat, fondet dhe konflikt interesi/ Konkurrenca kap FSHF-në me një mori shkeljesh të rënda

TIRANE-Autoriteti i Konkurrencës pas një auditi të thelluar ka kapur në shkelje të shumta Federatën Shqiptare të Futbollit në të drejtat televizive, shitjes së biletave të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, sponsorizime dhe reklamave.

Gjithashtu Konkurrenca thotë se presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka konflikt të pastër interesi në dhënin e të drejtave televizive lidhur me një nga platformat dixhitale. Autoriteti kërkon që e drejta televizive të reduktohet në fushëveprim dhe kohëzgjatjen e ekskluzivitetit, në një periudhe jo më shumë se 3 vjet, ku të drejtat të jenë të ndara dhe t’u shiten operatorëve të ndryshëm, jo vetëm njërit.

Po ashtu, në raport kërkohet përfshirja e Ligës Profesioniste duke i dhënë asaj një rol aktiv në çdo vendimmarrje, që ka të bëjë me “shitjen e përbashkët të së drejtë televizive”, si dhe të drejtave të tjera që burojnë prej saj. Gjithashtu një vëmendje e veçantë kërkohet edhe në lidhje me fondet e UEFA dhe FIFA-s.

Konkluzionet e Autoritetit të Konkurrencës
Konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të FSHF si entiteti i vetëm të cilit shteti i ka deleguar të drejtën e organizimit dhe zhvillimit të veprimtarive sportive, kombëtare e ndërkombëtare në sportin e futbollit, në lidhje me aktivitetin ekonomik që zhvillon, në drejtim të shitjes së të drejtave të transmetimit televiziv; shitjes së biletave të ndeshjeve të ekipeve kombëtare; sponsorizime dhe reklama.

Dhënien e kushteve dhe detyrimeve për të ndaluar abuzimin me pozitën dominuese të FSHF:
a. Detyrimin e FSHF që shitja e përbashkët e së drejtës televizive, si një e drejtë ekskluzive në të ardhmen të reduktohet në fushëveprim dhe kohëzgjatjen e ekskluzivitetit, në një periudhe jo më shumë se 3 (tre) vjet, ku të drejtat të jenë të ndara dhe t’u shiten operatorëve të ndryshëm.

b. Detyrimin e FSHF në të ardhmen të ndajë prokurimin e dy kategorive “Kategorinë Superiore” dhe “Kupën e Shqipërisë”, me dallimin në ofertë me paketën A (ndeshjet kryesore, të rëndësishme) dhe B (ndeshjet e tjera), në mënyrë që ato të mos i përkasin një operatori të vetëm, duke siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe të operatorëve audioviziv.

c. Heqjen e ekskluzivitetit në të ardhmen në kontratat e shitjes së të drejtave audiovizive “Highlighte” dhe krijimin e mundësisë për pjesëmarrje sa më të gjerë për operatorët audioviziv.

Përfshirjen e Ligës Profesioniste duke i dhënë asaj një rol aktiv në çdo vendimmarrje, që ka të bëje me “shitjen e përbashkët të së drejtë televizive”, si dhe të drejtave të tjera që burojnë prej saj.

Detyrimin e FSHF për shpërndarjen e fondeve të ardhura me destinacion të përcaktuar nga UEFA, FIFA etj., në një procedurë transparentë dhe korrekte, në prani të Ligës Profesioniste, në mënyrë që të ruhet konkurrenca e ndershme dhe efektive në treg. Kjo procedurë të bëhet publik në faqen zyrtare të FSHF – www.fshf.org.

Detyrimin për zbatimin e një procedure transparente për zgjedhjen e sponsorit kryesor dhe sponsorëve të tjerë, duke mundësuar pjesëmarrje më të gjerë të ndërmarrjeve në treg. Kjo procedurë të bëhet publik në faqen zyrtare të FSHF – www.fshf.org.

Detyrimin e FSHF për shmangien e çdo lloj lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë pasurore, midis sponsorizuesve të saj dhe përfaqësimit pasuror pranë platformës, lidhje të cilat ndikojnë në kufizimin apo shtrembërimin e konkurrencës, të krijuar për shkak të pozitës së saj dominuese.

Detyrimin e FSHF në të ardhmen për lidhjen e çdo kontrate që vendos të drejta ekskluzive ose të drejta të veçanta në territorin e Republikës së Shqipërisë, për ndërmarrje ose produkte të caktuara, të realizojë procedura prokurimi transparente, jo diskriminuese duke mos vendosur kritere kufizuese dhe përjashtuese në tregun përkatës. Këto kontrata të sillen për vlerësim paraprak pranë Autoritetit të Konkurrencës.

Detyrimin e FSHF të hartojë një metodologji për përcaktimin e çmimeve të biletave, me qëllim orientimin drejt kostos të shërbimit dhe çmimit të biletave. Sjelljen për vlerësim paraprak të metodologjisë pranë Autoritetit të Konkurrencës.

Detyrimet e përcaktuara në pikat 3, 4, 5, 6, 7, 9 duhet të përmbushen brenda afatit 120 ditor nga dita që ky vendim i është njoftuar.

Në rast të mos përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në dispozitivin e këtij vendimi, FSHF ndëshkohet me gjobë deri në 5 % të xhiros mesatare ditore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 76, pika 1, germa (a) të ligjit nr. 9121/2003.

Monitorimin e zbatimit të këtij vendimi, për një periudhë 2 vjeçare.
Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për njoftimin e këtij vendimi të gjitha palëve të interesuara.

Një tjetër pikë ishte dhe ajo që shumë tifozë janë ndeshur me abuzimet me shitjen e biletave nga ana e FSHF-së në ndeshjet e Kombëtares. Por ja çfarë konstatohet në gjetjet e Autoritetit të Konkurrencës.

Gjatë procedurës hetimore, u analizua edhe çmimi i shitjes së biletave. Nga ana e FSHF nuk u soll as edhe një e dhënë/informacion mbi mënyrën se si përllogaritet ky çmim. FSHF refuzoi disa herë të dërgonte analizën lidhëse mes kostos dhe çmimit të biletave. Kështu, në mungesë të informacionit të një modeli të kostos të detajuar të shërbimeve, nga AK është përdor alternativa krahasuese në lidhje me çmimin e biletave, si një nga metodat kryesore të hetimit. Analiza bazuar në çmimin e lartë të biletave (excessive price), ju referua vendeve të tjera të rajonit (benchmarking): Kosovë, Maqedonia e

Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia, shtete me karakteristika të ngjashme me Shqipërinë: duke parë kriterin e PBB-së dhe faktorë të tjerë, si popullariteti i futbollit në këto vende.

FSHF nuk ka një metodologji për përcaktimin e çmimeve të biletave me qëllim orientimin drejt kostos së shërbimit; nga krahasimi i çmimeve të biletave të miratuara nga FSHF me çmimet e biletave të rajonit rezultoi se janë më të larta se Maqedonia, Kosova, Kroacia, dhe Mali i Zi si vende me nivel të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së) dhe të ardhurave për frymë të krahasueshme me Shqipërinë (p.sh. Maqedonia). Kjo sjellje e FSHF, duke aplikuar çmime të larta, përbën një abuzim me pozitën dominuese në kuptim të nenit 9, pika 2, germa (a) të ligjit nr. 9121/2003.

Edhe ankesat e disa qytetarëve gjatë procedurës hetimore të protokolluara me nr. 55/14, 55/15, 55/16 prot., datë 21.11.2019 lidhur me detyrimin për blerjen e biletës Shqipëri – Andorra në mënyrë që të shohësh ndeshjen Shqipëri- Francë, referon në kuptim të nenit 9, pika 2 germa (a) të ligjit nr. 9121/2003 një abuzim me pozitën dominuese , duke vendosur kushte të padrejta për ata që duan të shohin ndeshjen për të cilën kanë interes”, theksohet në konstatimin e Autoritetit të Konkurencë

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tifozet Kuqezi: 15/05/2020 17:50

    Armando Duka dhe Arben Dervishi kur shiten stadiumin kombetar duke i hequr edhe emrin te drejtat televizive dhe biletat e ndeshjeve te ekipit kombetar nuk i diskutojne. Te nderhyjne SPAK-u dhe OFL-ja qe ti marrin te pandehur dhe ti cojne prapa hekurave keta sepse jane bere si pashallare te FSHF-se

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para , pezullohen 3 mjekët (EMRAT)

Fier, neglizhuan mjekimin e pacientit dy vjet para , pezullohen 3 mjekët (EMRAT)