Të ecësh drejt lirisë me Madeleine Albright

Të ecësh drejt lirisë me Madeleine Albright

Madeleine Albright

“Edhe pse ne na ndan një oqean, Kosovën dhe popullin e saj e kam gjithnjë në mendje. Sa herë më pyesin se cila është e arritura ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është ndihma që i dhashë popullit të Kosovës”.

Prishtinë 24 mars –

Kur kosovarët më 12 qershor 2019 po shënonin 20 vjetorin e çlirimit, në një ditë me diell përvëlues, dy mysafirë “përgjegjës” për lirinë e tyre po marshonin me hapa të ngadaltë rrugëve të Prishtinës. Bill Clinton dhe Madeleine Albright, që dikur drejtonin superfuqinë kryesore të globit, të shoqëruar edhe nga një hero tjetër i kosovarëve Wesley Clark, të ndjekur edhe nga politikanë vendës dhe qytetarë po nderonin kosovarët me prani fizike në një ditë gëzimi (nderin më të madh ua kishin bërë më 1999, kur kishin nisur aksionin ushtarak për lirinë e tyre). Në “Ecja për liri”, siç quhej organizimi, këtyre dy figurave respekti po u kthehej nga turma admiruesish në trotuare. Skena do të mund të ishte sureale dhe e paimagjinueshme për shumë vende në botë, që nuk kanë histori si kosovarët, ku kalimtarët mund të jenë më indiferentë edhe ndaj figurave të tilla. Si 81 vjeçare, Zonja Sekretare po ecte drejt bustit, që Kosova po ia zbulonte në të gjallë të saj, në qendër të kryeqytetit, për kontributin që kishte dhënë për t’i çliruar nga Serbia. Clinton, që e kishte emëruar në pozitën e kryediplomates, po i jepte edhe një herë dorën Albrightit, për t’i ndihmuar të ecte më lehtë deri te përmendorja. Vetë ai, shumë vite më parë e kishte “siguruar” statujën dhe bulevardin në Prishtinë, për të njëjtat arsye. Pamja, me Albrightin paksa të lodhur nga ecja në vapë, e mbështetur për platformën e bustit, nuk do të përsëritet më. Madeleine Albright, gruaja e parë në Amerikë që u bë Sekretare e Shtetit, ka vdekur të mërkurën mbrëma në moshën 84 vjeçare, nga kanceri. Pos familjes, sipas të gjitha gjasave, kosovarët kanë arsye më së shumti ta kujtojnë përgjithmonë.

Biografia

E lindur në Pragë si Marie Jana Korbelova, në vitin 1937, por e njohur si Madelenka që nga fëmijëria, Albright ishte larguar me familjen e saj drejt Londrës pas pushtimit nazist të Çekosllovakisë, ku ishte vendosur edhe qeveria në ekzil e këtij shteti. Në vitin 1948 ajo me familjen ishin zhvendosur në SHBA, për të ikur nga pushteti komunist. Albright ishte rritur si katolike, por disa dekada më vonë si një grua me pozita të larta, nga mediat e kishte kuptuar se prindërit e saj ishin hebrenj dhe se disa anëtarë të familjes i ishin vrarë gjatë Holokaustit.

Ballkani nuk ka qenë i huaj për Albrightin as në moshë të vogël. Babai i saj në vitin 1945 ishte emëruar përfaqësues i Çekosllovakisë në Jugosllavi dhe Shqipëri, me gradën e ambasadorit. Po atë vit, ata ishin vendosur në Beograd. Nga kjo periudhë, Albright ka kujtime edhe për diktatorin Tito, i cili madje i kishte vizituar në rezidencën e tyre, ku nga nëna e Albrightit i kishte shërbyer sallamë çekosllovake.

“Rojat e Presidentit (Tito), që duhej ta provonin ushqimin, ishin kundër idesë së saj, por ajo mori një salsiçe, e ndau më dysh, hëngri një copë për vete, kurse tjetrën ia dha diktatorit komunist. Udhëheqësi i tmerrshëm e kollofiti menjëherë pjesën e tij”.

Albright është shkollur në Universitetin Columbia ku ka marrë gradat master dhe doktoraturën, e në të cilin njëri nga mësimdhënësit e saj ishte i famshmi Zbigniew Brzezinski.

Mediat botërore Reuters, The New York Times, kanë shkruar mbrëmë për profilin e saj duke ia përmendur arritjet në diplomaci, gjuhën shpesh të ashpër në komunikim publik dhe feminizmin.

Vetëm një muaj para vdekjes, Albright kishte publikuar me gjasë opinionin e saj të fundit për politikën ndërkombëtare. Një ditë para se Rusia të niste sulmin ndaj Ukrainës, Albright në The New York Times kishte shkruar se Putin po bën “gabim historik”. Aty e kishte përshkruar një takim me Putinin që e kishte pasur në vitin 2000. “Kur po kthehesha në shtëpi, gjatë fluturimit, i shënova përshtypjet. Putin është i vogël dhe i zbehtë, i ftohtë gati si një zvarranik”.

Reuters rikujton se pas viteve të Clintonit dhe të viteve ‘90, Albright u bë një ikonë për një brez të tërë vajzash të reja që kërkonin mundësi dhe respekt në vendet ku punonin. Albright nuk hezitonte të shprehej direkt: “Ka një vend të veçantë në ferr për gratë që nuk ndihmojnë njëra-tjetrën”.

Gazeta Express sjell disa fragmente nga libri autobiografik i gruas që Bill Clinton mbrëmë e përshkroi “si një nga sekretaret më të mira, ambasadore të shquar, profesoreshë brilante dhe një qenie njerëzore të jashtëzakonshme”.

Tek “Zonja Sekretare” që përfshin periudhën e angazhimit diplomatik të Albrightit, ka portrete edhe për kosovarët si Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Adem Demaçi e të tjerë. Aty më së miri, nga vetë ajo, shpaloset arsyeja se pse Albright u angazhua për ta luftuar Millosheviqin, që në rastin e Kosovës bëhet fjalë për një luftë 78 ditëshe që kishte filluar më 24 mars 1999 – saktësisht 23 vjet më parë – që shpesh edhe nga mbështetësit dhe kundërshtarët e saj do të njihej si Madeleine’s War (Lufta e Medlinës).

Atë që e ka bërë për kosovarët, Albright e ka përshkruar më së miri në vitin 2018, kur ka uruar për 10 vjetorin e pavarësisë.

“Edhe pse ne na ndan një oqean, Kosovën dhe popullin e saj e kam gjithnjë në mendje. Sa herë më pyesin se cila është e arritura ime si Sekretare e Shtetit me të cilën krenohem më së shumti, them se është ndihma që i dhashë popullit të Kosovës”.

Albright sheh me sy tmerret që i shkaktonte Millosheviçi

Kur e fillova punën si ambasadore në OKB, vizitova një varrezë masiv pranë qytetit kroat Vukovar. Ajo çfarë pashë ishte një plehërishte, një fushë me frigoriferë të ndryshkur dhe me mbeturina pajisjesh bujqësore, e rrethuar me tela me gjemba dhe që patrullohej nga paqeruajtës rusë. Pikërisht në atë vend kishte më tepër se 200 trupa. Viktimat nuk kishin qenë aspak luftëtarë, por thjeshtë pacientë të një spitali, që forcat serbe i kishin nxjerrë që andej natën me forcë. Autoritetet serbe vendore nuk e mohuan ekzistencën e varrezës masive, por u habitën me shqetësimin tim. Më thanë se nuk arrija ta kuptoja dot historinë e rajonit.

Gjatë vizitës më erdhën ndërmend fotografitë e refugjatëve që kisha parë duke i përzënë nga shtëpitë e tyre në zona të ndryshme në mbarë Ballkanin, si në Bihaç, Brçko dhe Mostar, për shumicën e amerikanëve këta janë emra të panjohur, të vështirë për t’u mbajtur mend dhe të zorshëm për t’u shqiptuar, si Aushvic, Treblinka dhe Dahau.

Në njërin prej librave të tij, babai citonte patriarkun çekosllovak Tomas Massaryk: “Dashuria për fqinjin, për kombin dhe njerëzimin e detyron çdo njeri të mbrojë veten dhe t’i rezistojë të keqes gjithnjë, në çdo kohë dhe gjithçka”. Për mua ky detyrim erdhi si pasojë e fushatave të dhunës së egër të organizuara na Presidenti serb Slobodan Millosheviq.

Në Nju Jork, në mbledhjet e ekipit të politikës së jashtme në Uashington, në dokumentet sekrete që ia dërgoja Presidentit dhe në fjalimet që mbaja në gjithë botën, përdorja gjuhën më të fortë të mundshme për të përkrahur ndërmarrjen e veprimeve të forta për ta ndalur Millosheviqin. Për këtë arsye shpesh serbët etnikë më kanë akuzuar se kam tradhtuar trashëgiminë e familjes. Unë jam përgjigjur se: Po, është e vërtetë se im atë ia ka kushtuar librin e tij për Titon popullit jugosllav dhe se i ka dashur serbët. Madje, ka thënë se po të mos kish qenë çekosllovak, do të kishte dashur të ishte serb. Por përkushtimi kryesor i babait ka qenë ndaj idealeve dhe zemërgjerësisë. Po të kish qenë gjallë, sot im atë do të kishte dalë hapur kundër Milloshevqit dhe në mbrojtje të këtyre idealeve, të paktën me të njëjtën forcë si dhe unë”.

Masakra e Prekazit

Para masakrës së Prekazit, autoritetet jugosllave e kishin siguruar bashkëbiseduesin tonë në Ballkan, ambasadorin Robert Gelbard, se do t’i kundërpërgjigjeshin çdo sulmi me vetëpërmbajtje. Afërmendsh që gënjenin. Egërsia e serbëve me siguri do t’i radikalizonte shqiptarët, do të dobësonte të moderuarit dhe do të forconte UÇK’në.

Takimi i Grupit të Kontaktit, i kryesuar nga ministri i jashtëm i Gjermanisë Klaus Kinkel, nuk ra dakord pothuajse për asgjë, çka më bindi se ky grup nuk ishte organizimi i duhur për të kundërshtuar Millosheviqin. Afërmendsh Rusia do të ishte e vështirë, ndërsa Franca dhe Gjermania thuajse nuk ishin kurrë të gatshme të përballeshin me Moskën. Italianët bënin mjaft biznese me serbët dhe nuk i donin sanksionet. Në këto kushte Millosheviqi e kishte fare të lehtë t’i çmobilizonte këto vende me gjeste bindëse e fjalë boshe.

Ibrahim Rugova

Qëllimi ynë ishte arritja e një zgjidhjeje përmes bisedimeve midis Millosheviqit dhe shqiptarëve, e cila do t’i siguronte krahinës një shkallë më të madhe vetëqeverisjeje. Për ta arritur këtë, së pari duhej të përcaktonim bashkëbiseduesit e shqiptarëve, që kishin pikëpamje të ndryshme dhe ishin të përçarë. Ibrahim Rugova, udhëheqësi i zgjedhur i qeverisë së tyre “hije” ishte një intelektual truphollë dhe i qetë, që njihej për shallet që mbante për herë në qafë dhe për namin si pacifist. Por UÇK’ja që kontrollonte armët nuk do të pranonte që Rugova të hynte në bisedime në emër të saj. Këtë nuk do ta dëshironin as disa udhëheqës të tjerë shqiptarë, të cilëve Rugova u dukej shumë pasiv ndaj serbëve dhe tepër i ashpër ndaj mendimeve të ndryshme në partinë e vet. Rugova kishte kundërshtuar vazhdimisht të takohej me Millosheviqin, por në maj të vitit 1998 pranoi të kryesonte një delegacion të vogël, që do të shkonte në Beograd për të diskutuar mundësinë e ndërmarrjes së një procesi politik. Por doli se ishte një hap i gabuar. Shtypi serb e shfrytëzoi këtë rast dhe botoi fotografi të Millosheviqit me Rugovën duke i buzëqeshur njëri-tjetrit. E botuar në një kohë kur policia serbe po plaçkiste fshatrat shqiptare, kjo fotografi e uli më shumë autoritetin e Rugovës para popullit të tij.

 U përpoqëm të ndreqnim zararin duke e ftuar atë dhe delegacionin e tij në Uashington për t’i shprehur respektin tonë dhe për të nxitur unitetin. Gjatë takimit u zhgënjeva kur e pashë mimikën e kolegëve të Rugovës, të cilët rrinin si të ngrirë, madje bënin edhe gjeste mosmiratimi gjatë kohës sa po fliste.

Gjithsesi Rugova foli hapur. Tha se kushtet në Kosovë po keqësoheshin çdo ditë e më shumë dhe kërkoi që NATO të krijonte një zonë ndalimfluturimi, që të mos lejonte sulmet me helikopterë të serbëve. Ai vuri në dukje se qëllimi i shqiptarëve ishte pavarësia, por se mund të pranonin të kishin një status të përkohshëm si protektorat ndërkombëtar apo madje, bëri shaka ai, të bëheshin shteti i 51-të amerikan. Unë i thashë se nuk mund të mbështetnim pavarësinë, por do të bënim çmos për ta ndihmuar Kosovën për ta fituar autonominë dhe sigurinë.

Kur mbaroi mbledhja, Rugova më dhuroi një gur të vogël gjysmë të çmuar nga Kosova. Një nga zakonet e çuditshme të udhëheqësit shqiptar ishte të dhuronte vazhdimisht gurë, një ditë më parë Clinton kishte marrë si dhuratë një copë kuarc gati 2.5 kilogramë.

Kam njohur shumë disidentë gjatë jetës sime në Europën Lindore e kudo gjetkë. Zakonisht, e ndien menjëherë pasionin me të cilin kanë përqafuar kauzën e tyre. Kurse Rugova bënte përjashtim, megjithëse shpesh ai të hutonte, u binda se njëra nga arsyer e forcës së tij ishte nënvlerësimi i vazhdueshëm prej të tjerëve. Njerëzit e shpërfillnin, por ai nuk dorëzohej dhe në të vërtetë kur kosovarët votuan, dhanë më shumë vota për të se për të tjerët.

Hashim Thaçi

Delegacioni shqiptar prej 16 vetash përfshinte udhëheqësin e moderuar politik Ibrahim Rugova, gazetarin e respektuar Veton Surroin, akademikun Rexhep Qosja dhe përfaqësuesit e partive tjera politike, të pavarurit dhe UÇK’në. Papritmas delegatët zgjodhën si kryetar të tyre një komandant të UÇK’së, 29 vjeçarin Hashim Thaçi, i cili kishte një fizik të gjatë e thatim. Me të deri atëherë kishim pasur shumë pak kontakte. Dukej se caktimi i Thaçit pasqyronte rënien e vazhdueshme të pozicionit të Rugovës, i cili pas gjithë asaj fyerje nuk e hapi gojën thuajse fare. Kur njëri nga diplomatët tanë e pyeti Rugovën pse ishte aq i plogësht, ai u përgjigj: “Ky është stili im”.

….Pas takimit të përgjithshëm u takova vetëm për vetëm me Thaçin në njërën nga dhomat përdhese ku frynte shumë. Që në takimin e parë, ashtu si edhe në takimet e mëvonshme, u habita nga mosha e tij e re dhe mungesa e përvojës, çka e bënin atë herë kokëfortë e herë të etur për t’u pëlqyer të tjerëve. Në rastin e Rugovës ndieja se po i drejtohesha një kolegu të çuditshëm akademik. Thaçi më ngjante me një student me mundësi të shkëlqyera, me prirjen për ta dorëzuar detyrën me vonesë.

Pak javë më vonë, Albright po i bartte përshtypjet e saj për Thaçin tek një njeri tjetër, francezi Bernad Kouchner që do të vinte në Kosovë si emisar special për ta ngritur në këmbë Kosovën e rrënuar pas lufte.

Kouchner në librin e tij autobiografik “Luftëtarët e Paqes” kishte përshkruar atë që çfarë Albright i kishte thënë për Hashim Thaçin.

Me Madeleine Albright nuk kishte vend për fjali formale. Hijeshia dhe kapja e mprehtë e situatave fshinin nga faqja e dheut përdorimin e disa formulave diplomatike të panevojshme. I thoshte gjërat hapur dhe i ndiente ngjarjet. Folëm për viktimat – shqiptarë të Kosovës – e kampeve të përqendrimit, të drejtën e ndërhyrjes, familjet tona, që u gjendën në mes të vorbullës së viteve: përdorëm të njëjtën gjuhë, kishim të njëjtat bindje. Më rekomandoi të parapëlqyerin e saj, Hashim Thaçin, prijësin e UÇK’së, të cilin e kishte zbuluar vetë, në një farë mënyrë dhe e “nxjerr në dritë” në Konferencën e Rambujesë. Më vonë do të kuptonim se nuk ishte e gabuar.

Adem Demaçi

Gjatë gjithë ditës vrava mendjen se si ta bindja Thaçin. Kisha marrë në telefon të gjithë ata që mendoja se mund të ndikonin mbi udhëheqësin e UÇK’së, ndaj më në fund vendosa të provoja edhe Adem Demaçin. Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar, njëri prej atyre që i bënin presion Thaçit të ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm. I telefonova në Slloveni, ku ndodhej dhe i kërkova të nxiste Thaçin që të mbështeste qëndrimin tonë. Demaçi u përgjigj se nuk mund të pajtohej me gjithçka dhe se donte të takohej personalisht me mua; më sugjeroi që të shkoja në Slloveni dhe të bisedoja më të. I thashë: Ka dy javë që palët po bisedojnë dhe fare pak orë kanë mbetur që të skadojë afati i fundit. Mund të takohem me ju në të ardhmen, por tani ju duhet t’i jepni Thaçit miratimin tuaj. Në rast se nuk e bëni këtë, dështimi do t’ju ndjekë si hije gjatë gjithë kohës që shqiptarët e thjeshtë do të vriten.

Demaçi tha: Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Nëse është e nevojshme të vdesin edhe 30 mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për te qenë të lirë.

Iu përgjigja: Propozimi im nuk do të thotë që ju të hiqni dorë nga ëndrra juaj. Mos e lini t’ju ikë nga dora ky shans për paqe. Thuajini Thaçit se e mbështetni atë.

Demaçi ma priti: Është e pamundur.

E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedimet më rrëqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time. Pavarësisht nga Demaçi, presioni ynë në fund pati sukses.

23- 24 mars 1999: Clinton e Albright “dorë për dorë” në luftë për Kosovën: Po bëjmë atë që duhet

Pak orë më vonë, në mbrëmjen e 23 marsit, Sekretari i Përgjithshëm Solana, urdhëroi gjeneralin Wes Clark të niste operacionin e goditjeve ajrore. Kish kaluar mesnata. Isha kthyer në shtëpi e këputur nga lodhja, por ndjenja deri vonë para televizorit për të parë emisionin e lajmeve. Pothuaj më kishte zënë gjumi, kur ra telefoni. Ishte Presidenti. Ai tha: “Po bëjmë atë që duhet. Do të kemi një rrugë të gjatë dhe është diçka që nuk do të mbarojë shpejt, por mendoj se i kemi parë të gjitha alternativat”.

 Së bashku nisëm të radhitnim të gjitha përpjekjet që kishim bërë për të gjetur një zgjidhje diplomatike, përfshi edhe 15 udhëtimet që kisha bërë për t’u këshilluar me aleatët gjatë një viti më parë. Folëm për përgjegjësinë që kishim ndaj kosovarëve dhe veçanërisht ndaj forcave tona të armatosura. Dërgimi i të rinjve dhe të rejave në luftë është vendimi më i vështirë që mund të marrë një president. Sa herë që kam vizituar trupat amerikane, jam përpjekur të vendos kontakte pamore me to, në mënyrë që të ngulitja në mendje fytyrat e tyre, asnjë udhëheqës amerikan nuk mund të angazhojë trupat në një ndërmarrje ushtarake pa i peshuar mirë e mirë të gjithë kostot. Në këtë rast ne e kishim bërë këtë. Presidenti tha përsëri: “Mendoj se po bëjmë atë që duhet”. – “Po, zoti President, – i thashë. – Po bëjmë atë që duhet”.

Nga Shpend Limoni

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë