Japrakë me lakër

Përbërësit:

1 lakër

500 gr mish të grirë

2 qepë

2 thelpinj hudhra

2 filxhan kafe oriz

1 lugë çaji piper i kuq

Kripë dhe piper i zi

Vaj ulliri

2 lugë gjelle uthull

Përgatitja:

Fillimisht pastrojmë gjethet e lakrës nga kërcelli.  Gjethet e pastruara i lëmë të ziejnë për 5 minuta në ujë me kripë dhe më pas i lëmë mënjëanë. Qepën e presim në kubikë të vegjël dhe së bashku me hudhrën e kaurdisim sa të zbutet pak me një lugë vaj ulliri. Në një tas vendosim mishin e grirë, shtojmë në të qepën e kaurdisur, orizin, kripën, piperin e kuq dhe piperin e zi. I përziejmë mirë dhe fillojmë të mbushim gjethet e lakrës. Vendosim në tryezën e punës një gjethe lakër mesatare, vemë një lugë gjelle kimë në qendër dhe fillimisht kthejmë anët dhe më pas e mbështjellim role.

Në një tenxhere grijmë 2-3 gjethe lakër dhe mbi to vendosim me rradhë japrakët duke mos i lënë ato të lira. Pasi ti kemi përfunduar i spërkasim me 3 lugë vaj ulliri dhe më pas i nbulojmë me ujë të nxehtë. Vendosim një pjatë mbi japrakët për ti fiksuar mirë, e mbulojmë tenxheren me kapak dhe i lemë japrakët të ziejnë në temperaturë mesatare për 50 minuta.

 

Kisel me luleshtrydhe

Përbërësit:

500 gr luleshtrydhe

1 1/2 gotë uji

4-5 lugë gjelle sheqer

3-4 lugë çaji niseshte

Dekorimi i gotave me kisel

175 gr maskarpone

100 ml krem pane

20 gr çokollatë fondente

Përgatitja:

Lajmë dhe pastrojmë luleshtrydhet nga gjethet. I presim në copëza dhe i vendosim në një blender, ku shtojmë dhe ujin duke i kthyer ato në smoothie.

I kalojmë në një sitë për të larguar farat dhe lëngun e përftuar e vendosim në një tenxhere ku do të shtojmë sheqerin. E lëmë të marrë valë.

Hollojmë niseshten në një gjysmë gote ujë dhe e shtojmë në tenxhere, duke e përzier vazhdimisht për 2-3 minuta. Më pas e largojmë tenxheren nga zjarri dhe e servirim nëpër gota. E lëmë të ftohet.  

Ndërkohë trazojmë mascarponen me kremin pana dhe e rrahim derisa të ngurtësohet. E vendosim në një xhep pastiçerie dhe dekorojmë gotat duke i spërkatur me çokollatë të grirë plus një luleshtrydhe.