Kek me karrota
Përbërësit:
4 vezë
200 gr sheqer
1 lugë gjelle lëkurë portokalli
50 ml lëng portokalli
120 ml vaj Olim
250 gr miell
1 lugë çaji pluhur pjekës
1/2 lugë çaji sodë
Kripë
350 gr karrota ( të grira)
2 lugë gjelle rrush i thatë
Përgatitja:
Në një tas rrahim vezët, sheqerin dhe i përziejmë derisa sheqeri të shkrijë dhe veza të rrisë volumin. Shtojmë lëkurën e portokallit dhe pak lëng portokalli dhe vazhdojmë përzierjen duke shtuar edhe vajin.
Shtojmë tek tasi me miell pluhurin pjekës, sodën e bukës dhe e përziejmë me miellin.
Shtojmë pak nga pak miellin te veza dhe e përziejmë me lugë druri.
Shtojmë karrotat e grira në rende dhe i përziejmë me brumin. Hedhim pak kripë dhe përsëri i përziejmë mirë. Brumin e hedhim në një tepsi keku me diametër 26x6 cm. Në fund shtojmë rrushin e thatë dhe e përziejmë me një stikandent me brumin.
E vendosim tavën në furrë, në temperaturë 175 gradë Celsius, pë 50 minuta.
Peshk me qepë të thata në tigan
Përbërësit:
1.2 kg peshk
4 kokrra qepë (1 për person)
4 thelpinj hudhra
1/2 gotë verë të bardhë
2 gjethe dafine
2 lugë gjelle majdanoz
100 gr salcë pure domate
Kripë dhe piper i zi
Vaj ulliri
2-3 lugë gjelle uthull
Përgatitja:
Ngrohim vajin në tigan dhe kavardisim qepët e prera në fije. E spërkatim qepën me kripë dhe piper të zi dhe e lëmë të zbutet pak duke e trazuar herë pas here.
Peshkun e pastruar mirë e presim në copa mesatare, e marinojmë me kripë dhe piper të zi dhe e pudrosim me pak miell. Ngrohim vajin dhe e skuqim pak nga dy anët.
Tek qepa e kavardisur shtojmë 2 gjethe dafine, purenë e domates, hudhrën, majdanozin, 2-3 lugë gjelle uthull.
E lëmë qepën të ziejë pak, shtojmë piperin e zi dhe më pas vendosim copat e peshkut. E shuajmë me pak verë të bardhë dhe e lëmë në zjarr të ulët ose e vendosim në furrë në temperaturë 200 gradë Celsius, për 10-15 minuta.