Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Makarona furre me proshutë dhe Qofte me thjerrëza

Makarona furre me proshutë

Përbërësit:

400 gr makarona Stella

5 lugë gjelle parmixhan i grirë

250 gr proshutë coto

Beshameli:

60 gr gjalp

60 gr miell

600 ml qumësht

Arrëmoskat

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja:

Fillimisht përgatisim beshamelin. Shkrijmë gjalpin dhe shtojmë miellin. Sapo mielli të ziejë në gjalp, e shuajmë me qumësht të ngrohtë duke e përzierë vazhdimisht me tel dore derisa beshameli të lidhet (të trashet). Rregullojmë shijen me kripë, piper dhe arrëmoskat.

Në një tenxhere me ujë të valuar  kemi shtuar makaronat, ndërkohë i lëmë të ziejnë 3 minuta më pak se koha e duhur për zierje.

Kullojmë makaronat dhe i vendosim në një tas, u shtojmë beshamelin, 2 lugë gjelle djathë parmixhan dhe i përziejmë mirë së bashku. Shtojmë dhe proshutën të prerë në kubikë të vegjël, i përziejmë dhe më pas i shtojmë në një tepsi të lyer me pak gjalp.

Djathin e mbetur e shpërndajmë në të gjithë sipërfaqen sipër makaronave. Vendosim tepsinë në furrë në temperaturë 180 gradë Celsius, për 20-25 minuta.

 

Qofte me thjerrëza

Përbërësit:

200 gr thjerrëza

1 patate

1 karrotë

1 copë selino (80 gr)

1 thelpi hudhër

4 lugë gjelle parmixhan i grirë

2-3 degë majdanoz

2 lugë gjelle galetë e grirë

Kripë dhe piper i zi

1 vezë

Përbërësit për skuqjen:

4-5 lugë gjelle galetë e grirë

2 vezë

Kripë

Vaj Olim për skuqje

Përgatitja:

Fillimisht shpëlajmë thjerrëzat me ujë të ftohte, qërojmë pataten dhe e presim në kubikë, rrënjën e selinosë, një degë selinoje, karrotën të qëruar dhe të prerë në copëza. Të gjithë këta përbërës i vendosim në një tenxhere, i mbulojmë me ujë në temperaturë ambienti dhe i vendosim në zjarr mesatar për të zierë, për 20 minuta.

Pasi të ketë kaluar kjo kohë dhe të gjithë përbërësit të jenë zier mirë, i transferojmë në një mikser, si psh te grirësja e qepës.

Shtojmë në të djathin parmixhan, majdanozin, pak kripë e piper nga mulliri, galetën e grirë (ose një fetë bukë të thatë të grirë), 1 vezë dhe i kalojmë në mikser të përzihen mirë derisa të na formohet një masë homogjene. Lyejmë duart me vaj dhe formojmë qofte në formë sferike sa një arrë e madhe dhe e vendosim në një pjatë.

Në dy pjata vendosim te e para 2 vezë të rrahura me pak kripë dhe te pjata e dytë 4-5 lugë gjelle galetë të grirë. Kalojmë qoftet fillimisht në vezë e më pas i rrotullojmë në galetë të grirë.

Ngrohim një tigan me vaj Olim dhe më pas i skuqim qoftet derisa të zverdhen. I nxjerrim nga tigani dhe i vendosim në letër kuzhine për t’i larguar pak yndyrën e tepërt. I servirim me sallatë apo me salcën që preferoni.

Ju bëftë mirë!

D.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja