“Forca e futbollit ka qenë gjithmonë uniteti i tij. Kërkojmë që ky unitet tani të nderohet, për një udhëheqës që të jetë në shërbim të futbollit dhe jo të kërkojë ta dominojë atë.”
Ky është qëndrimi i UEFA, CONCACAF dhe AFC, i shprehur në një letër të hapur të firmosur nga presidentët e konfederatave evropiane, aziatike dhe të Amerikës Qendrore e Veriore, Aleksander Ceferin, Salman Bin Ibrahim Al Khalifa dhe Victor Montagliani, lidhur me veprimet e fundit të FIFA dhe veçanërisht të presidentit të saj, Gianni Infantino, i cili hodhi idenë që më pas u tërhoq, për të shitur te privati 20 përqind të kompeticioneve të FIFA-s, përfshi edhe Kupën e Botës.
“Futbolli është pasioni më i madh që bashkon njerëzit në mbarë botën. Ai nuk i përket asnjë individi dhe asnjë institucioni, ai u përket lojtarëve, tifozëve, klubeve, federatave dhe çdo institucioni të ngarkuar me mbrojtjen e së ardhmes së tij. Është kjo frymë që po flasim kolektivisht sot”, bëjnë të ditur UEFA, CONCACAF dhe AFC.
“Rritja e regjistruar gjatë dekadës së fundit ka qenë reale, por ky progres nuk ka qenë kurrë vepër e një individi të vetëm. Ai ka qenë rezultat i punës së FIFA-s, konfederatave, federatave anëtare dhe mijëra njerëzve që i kushtojnë jetën këtij sporti.”
Zgjerimi i turneve, caktimi i organizatorëve të Kupave të Botës 2030 dhe 2034, si dhe shpërndarja e burimeve financiare, “kanë qenë objektiva të përbashkëta, të dakordësuara dhe të realizuara së bashku”, vijon letra.
“Nuk bëhet fjalë për paratë. Konfederatat kanë kërkuar tashmë një shpërndarje të përgjegjshme të rezervave të mëdha të FIFA-s, për të forcuar më tej investimet në zhvillimin e federatave anëtare. As nuk bëhet fjalë për rishqyrtimin e zgjerimit të kompeticioneve, caktimit të organizatorit të Kupës së Botës apo të ndonjë vendimi tjetër të marrë kolektivisht. Këto vendime janë marrë së bashku dhe duhet të mbeten në fuqi. Bëhet fjalë për diçka edhe më themelore, integritetin e lojës dhe të atyre që janë zgjedhur për ta drejtuar atë.”
Tre konfederatat u shprehën sërish edhe për planin e fundit, tashmë të braktisur të Infantinos për privatizimin e Kupës së Botës.
“Lidershipi në futboll nuk është pronësi, nuk bëhet fjalë për të zotëruar apo pretenduar pushtetin. Është një detyrë shërbimi ndaj familjes së futbollit që ta beson këtë përgjegjësi. Kur besimi tradhtohet përmes mashtrimit, kur një individ vendos veten mbi kolektivin që i ka besuar autoritetin, kjo detyrë humbet kuptimin”, vijojnë UEFA, CONCACAF dhe AFC.
“Letra e fundit e FIFA-s drejtuar zëvendëspresidentëve të saj dhe 211 federatave anëtare pranon se janë bërë gabime gjatë procesit dhe flet për një dështim në komunikim, ndërkohë që ajo që futbolli ka përjetuar ka qenë një gabim në gjykim.
Një propozim i paraqitur brenda një kohe shumë të shkurtër, pa një konsultim domethënës dhe me një afat të përcaktuar përpara se federatat anëtare të mund të shqyrtonin siç duhet kushtet e tij, nuk është rezultat i një pakujdesie, por i një strategjie të orientuar drejt kufizimit të kontrollit mbi të.
Nuk është pranuar se vetë propozimi ishte thelbësisht i gabuar, ende nuk pranohet se ky ishte një gabim i rëndë në vlerësim, jo thjesht një gabim procedural, por një shkelje themelore e besimit ndaj vetë institucioneve të cilave FIFA është e ngarkuar t’u shërbejë.”
Tre konfederatat vërejnë gjithashtu se “FIFA është angazhuar të paraqesë një raport të plotë mbi këto ngjarje në Këshill, duke mos pranuar edhe një herë se një qeverisje e mirë, përballë një mungese kaq të rëndë gjykimi, do të kërkonte që ky shqyrtim të kryhej nga një palë e tretë, plotësisht e pavarur dhe jo nga vetë FIFA, stafi i saj apo ndonjë subjekt tjetër i përfshirë në botën e futbollit”.
“Edhe letra e FIFA-s konfirmon se në takimin e drejtuesve në Marok ishte i pranishëm vetëm një zyrtar i zgjedhur. Asnjë anëtar i Këshillit dhe asnjë përfaqësues i federatave anëtare nuk ishte ftuar të merrte pjesë. Ishte i pranishëm vetëm Bordi Drejtues, i përbërë nga drejtues të lartë të FIFA-s.
Ky takim i fundit, jo me të gjithë Komitetin, u zhvillua jashtë vendit, në vend që të mbahej në Zyrih, në zemër të FIFA-s. Kjo vetëm sa i forcon këto shqetësime dhe përfaqëson vazhdimin e të njëjtit model sjelljeje që na ka sjellë në këtë pikë. Kjo nuk është sjellja e një kujdestari të lojës, por e dikujt që beson se loja duhet të japë llogari para tij.
Ka heshtje aty ku duhet të ketë përgjegjësi, distancë aty ku duhet të ketë transparencë. Këto nuk janë cilësitë që futbolli meriton nga drejtuesit e tij.
Prandaj kemi marrë këtë qëndrim, jo lehtë dhe jo të vetëm, por së bashku dhe nga detyrimi ndaj lojës së cilës i shërbejmë”, përfundojnë UEFA, CONCACAF dhe AFC.








Komente
Komento