Merkatoja nuk pret deri në fundin e garës për Champions League. Takimet vazhdojnë te Juventusi dhe mes emrave më të lakuar në këtë periudhë është ai i Ardon Jasharit të Milanit, kundërshtarit të së dielës në “San Siro”.
Trajneri Spalletti ka në mendje një Juventus më ekspert dhe më karizamtik për të ardhmen, por edhe më teknik në regji. Nëse Alisson është një pistë konkrete dhe Bernardo Silva një dëshirë e madhe, në klub ka lindur ideja për dy organizatorë në organikë. Dhe fokusi është te një zëvendësues i Manuel Locatelli, ose më mirë te një kopje e kapitenit, që të garantojë variacione taktike.
Sytë e bardhezinjve janë te Ardon Jashari, zëvendësuesi i Modric te Milani. Shqiptari që luan për Zvicrën ishte në shënjestrën e Juventusit edhe sezonin e kaluar, kur luante për Club Brugge. Milani fitoi konkurrencën, pas këmbënguljes së Igli Tares, sponsori kryesor i lojtarit. Me kuqezinjtë ka luajtur 13 ndeshje dhe 15 herë ka qenë në stol, pasi ka vuajtur edhe një dëmtim.
Ky aktivizim i paktë te Milani ka 'ngritur antenat' e Juventusit
Jashari i shtohet listës së mesfushorëve që kërkon “Zonja e vjetër”, ku prej kohësh figuron edhe Pierre-Emile Hojbjerg. Danezi i Marseille është një profil ndryshe, me shumë eksperiencë (30 vjeç) dhe mbetet një alternativë në merkaton bardhezi.
Komente







